Kompania që do të ndërtojë Portin e Durrësit është një ndër më prestigjiozet në Lindjen e Mesme. Kështu shkruan kryeministri Edi Rama, në vijim të reagimeve të tij, kundrejt akuzave të opozitës për projektin për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit, ndërsa shton se kjo është një mundësi e paçmuar që të angazhojmë këtë kompani si partnere të shtetit në Durrës.

Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës! Eaglegill.com.’- thekson Rama.

Kryeministri Rama, sërish thekon se ky është investimi më i madh i huaj në rajon që do të transformojë Durrësin, ndërsa shton se kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh. Si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit, nënvizon me tëj Rama, duke akuzuar opozitën.

‘Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha! Investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtëpërdrejtë ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh! Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!’- shkruan Rama.

Rama thotë me tej se shtetit shqiptar është ortak me 33% në një investim të huaj dhe që më parë nuk ka qenë kurrë. Sipas Ramës, teksa shigjeton opozitën, shton se nuk i kanë rënë shkurt, sikurse do të kishin bërë përbaltësit që e kishin zakon të thoshin ‘gjys për gjys’.

‘Shteti shqiptar ortak me 33% në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 €uro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33% për vete apo siç e kishin zakon të thoshin “gjys për gjys”!’- nënvizon më tej krue i qeverisë.

Seancën e radhës parlamentare, kur edhe do të diskutohet projekti për ndërtimin e Portit të Durrësit, kryeministri Rama tha se mezi po e pret.

‘Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë!’- shkruan Rama.

Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi  € 595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro. Marrëveshja ka një jetgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgajt 20 vite. Qeveria shqiptare do të përfitoi gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit. Parashikohen 12 000 të punësuar.