-Dje u dha vetëm Plotfuqishmëria. Por Marrëveshja ka prapë udhë për të bërë: Presidencë, parlament dhe prapë Presidencë deri në dekretim. Nuk është rrugë e shkurtër kjo, ndaj ministri Bushati duhet të nxitojë duke mbajtur në dorë Kushtetutën e Shqipërisë dhe në shpinë interesat e kombit.

Nga: Q. Xhani/ KJ

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka firmosur dje autorizimin e plotfuqishmërisë për fillimin e negociatave të kufirit detar me Greqinë. Autorizimi i është dorëzuar ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Duke nisur që nga dje, Ministria e Jashtme dhe Qeveria nuk kanë më asnjë kufizim ligjor për t’u ulur në bisedime me negociatorët e palës greke dhe për të diskutuar çështjen e kufirit detar.

Në njoftimin e publikuar dje nga Presidenca, veç lejes për nisjen e bisedimeve për palën shqiptare, ka dhe një paragraf që ngjan si porosi e veçantë për Ministrinë e Jashtme dhe qeverinë. Presidenti i kujton Bushatit, negociatorëve dhe gjithë institucioneve shqiptare se marrëveshja duhet të jetë sipas Kushtetutës, por edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 që rrëzoi marrëveshjen e parë të qeverisë “Berisha”. “Presidenti u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Theksimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton me detaje sesi mund të bëhet marrëveshje e re është dhe udhërrëfyesi për negociatat aktuale Shqipëri-Greqi. Duke e përmendur edhe një herë këtë fakt, kreu i shtetit lë të kuptohet se çështja e paktit me Greqinë nuk përfundon vetëm me dhënien e plotfuqisë për Ministrinë e Jashtme. Suksesi ose dështimi i negociatave do të vlerësohet me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu edhe dekretimi i marrëveshjes do të kalojë duke verifikuar përputhshmërinë me këtë dokument të gjykatës, që aktualisht ka vlerën ligjore të neneve të Kushtetutës. Jo pak herë kreu i shtetit ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetuta e Shqipërisë është vija e kuqe që nuk mund të kalohet as nga Presidenti dhe as nga qeveria. Bashkë me lejen, Presidenti Meta u ka kujtuar dje institucioneve të përfshira në këtë proces se tashmë llogaritë i kanë me ligjin dhe Kushtetutën dhe jo thjesht më institucionet.

 

Leja e presidentit u dha pas disa korespodencash dhe debatesh publike mes Ministrisë së Jashtme e Presidencës. Ministria e Jashtme kërkoi lejen për nisjen e bisedimeve dy muaj më parë, por kërkesa u kthye për rishikim nga Presidenca. Arsyeja lidhej me faktin se dokumentit të Ministrisë i mungonin që nga emri i marrëveshjes dhe deri të emrat e negociatorëve që do të uleshin në bisedime. Ministria e Jashtme dërgoi një listë me emra disa javë më pas, por sërish kriteret teknike të dokumenteve dhe detajimi i marrëveshjes mungonte. Për këtë qëllim Presidenca kërkoi informacione shtesë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Ndërhyrjet e Presidentit i dhanë mundësi edhe vetë Qeverisë që të korrigjojë gabimet që kishte bërë prej në nisje, pasi rezultonte se pala shqiptare po hynte në negociatat pa negociatorë profesionistë dhe pa ditur se çfarë do bisedohej. Nga ana tjetër, Presidenti i dha mundësi Ministrisë që me korrigjimet të cilat ajo i bëri me urgjencë të mos shkonte drejt një marrëveshje që do rrëzohej pa filluar.

 

Në fakt shenjat se do jepej Plotfuqishmëria u panë edhe nga daljet e kryeministrit Rama, ku tha se Presidenti ka shumë të drejtë në kërkesat e tij dhe ne po i plotësojmë siç kërkon zoti President.

 

Me firmën e djeshme të kreut të shtetit, Qeveria nuk ka më arsye të justifikohet se marrëdhëniet me Greqinë po pengohen në Tiranë. Edi Rama dhe Ditmir Bushati kanë në dorë sot jo vetëm fatin e çështjes kufirit detar të Shqipërisë, por edhe zonat ekonomike të naftës dhe gazit, ligjin grek të luftës, të drejtat e shqiptarëve në Greqi, si dhe çështjen çame. Janë të gjitha probleme të mbartura mes dy vendeve që presin të marrin përgjigje këto muaj. Koha kur pritet një zgjidhje nuk është e largët. Në muajin prill, Edi Rama dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras do të takohen në Korçë. Në gati një muaj, pala shqiptare do tregojë nëse se ka mësuar nga gabimet e qeverive të mëparshme, ose do të firmosë një marrëveshje edhe më të dëmshme. Metri që do të mas suksesin apo dështimin e Ramës është vetëm një, Kushtetuta.

 

Dje u dha vetëm Plotfuqishmëria. Por Marrëveshja ka prapë udhë për të bërë, Presidencë, parlament dhe prapë Presidencë deri në dekretim.

 

Nuk është e vogël kjo, ndaj ministri Bushati duhet të nxitojë duke mbajtur në dorë Kushtetutën e Shqipërisë dhe në shpinë interesat e kombit.

 

  1. Xhani