KOMENT/

Presidenti Ilir Meta, gjatë konferencës me titull: “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e integrimit euroatlantik’ që u zhvillua në Tiranë nën kujdesin e Qendrës Amerikane Marshall, nuk u ndje i qetë.

Gjatë fjalës së tij ai më shumë ‘u grind’ me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin ( që i ka shpallur armiq personal),  se sa mbajti rolin e  burrit të shtetit para aspiratës së kombit për bashkim dhe prosperitet.

Idenë e ‘bashkimit kombëtar të shqiptareve’ zoti Meta e quajti ‘delirim’, dhe tha se ‘ky është një film që e kemi parë disa herë’.

Para pak kohe kryeministri Rama ka thënë edhe para autoriteteve serbe se e ëndërron bashkimin e shqiptarëve. Me këtë frazë dhe me thëniet e Thaçit se ‘një mik i Gjingjiq në Tiranë’ më ka kërkuar ndryshimin e kufijve (ku Meta shikon veten) Ilir Meta u grind me nervozizëm gjatë konferencës. U nxeh gjatë fjalës dhe tha se këto janë ide delirante, se këto i përdorin njerëz që duan të largojnë vëmendjen.

Ai tha që në fillim se sikur të kërkojmë bashkimin e shqiptarëve, atëherë pse nuk kërkojmë ‘bashkimin e serbëve dhe boshnjakëve’, si të ishte jo president i shqiptarëve

Në fjalën e tij në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall- Shqipëri, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik” , kreu i shtetit Ilir Meta foli me tone kritike ndaj tezave për bashkim të shqiptarëve në Ballkan.

“Nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt, nuk ka komb në Ballkan që ka qenë më i shtypur para viteve ’90. E mbajmë mend shumë mirë se çfarë ishte Rumania e Jugosllavia, ne ishim thjesht një Kore e Veriut në atë kohë. Dëgjojmë shpesh, pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët, po natyrshëm pse mos të bashkoheni kroatët, të gjithë boshnjakët etj.

Këto delirime janë një diabolizëm i gjallë, një përpjekje e politikanëve për të provokuar tema, për të shmangur vëmendjen nga çështje të brendshme. Dhe shpesh e bëjnë këtë edhe në mënyrë të koordinuar. Dhe ndërkohë çfarë ndodh ikin të rinjtë, nga Kosova, Serbia Maqedonia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë kudo.

Bëhet fjalë për një rajon Ballkanin Perëndimor, në një situatë kur pesha e Evropës nga pikëpamje ekonomike ka rënë në  Botë, kur globalizimi vë në rrezik të gjithë vendet e vogla dhe gara është mes rajoneve dhe ne thellojmë ndarje për arsye më shumë personale.” theksoi Meta.

Veritas.com.al/