Presidenti Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili deklaroi se për negociatat me Greqinë do të respektojë me përpikmëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti do të zbatojë Kushtetutën për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshje. Nuk ka pasur në asnjë rast refuzim për autorizim, por gjithmonë ka pasur respektim deri në pikën përfundimtare të vendimit të Gjykatës Kushtetues, një procedurë që duhet të jetë nga ana kushtetuese sa më e saktë”,- tha kreu i shtetit.

Kreu i shtetit theksoi se nuk ka refuzuar dhënien e plotfuqishmërisë, por ka kërkuar më shumë informacione nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Do të mjaftonte edhe sikur një procedurë e thjeshtë të mos respektohej që kjo marrëveshje rrëzohej sërish në Gjykatën Kushtetuese. Është e rëndësishme që ky proces të kryhet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që në këtë rast është vet Kushtetuta”,- tha Meta.

Lidhur me çështjen e negociatorëve, Meta tha se “integriteti dhe personaliteti i tyre është i rëndësishëm. Gjykata Kushtetuese kur ka folur për metodologjinë ka theksuar rëndësinë e ndjekjes së një metodologjike e cila bënë fjalë për korrektime, të cilat e rrisin shumë rolin e negociatorëve në këtë marrëveshje”,- tha Presidenti.

Veritas.com.al/