Presidenti Bujar Nishani ka humbur gjyqin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjyqtarja Arjana Liço ka rrëzuar padinë e Nishanit si të ‘pa bazuar në prova’. Kreu i shtetit paditi një vit më parë Erion Veliajn për fyerje, ndërsa i kërkonte 100 lekë dëmshpërblim.
Presidenti Nishani dënoi protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës pranë Gjykatës Administrative, duke e quajtur një sulm të dhunshëm, të organizuar nga kryetari i bashkisë dhe kërkoi reagimin e gjyqtarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, Erion Veliaj reagoi me anë të një deklaratë të shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, pas konferencës së Bujar Nishani. Veliaj tha se Nishani është kthyer në një ‘lodër të biznesmenëve’. Në një dalje publike më 17 maj, presidenti i kërkoi Veliajt përgënjeshtrimin e akuzave, sipas të cilit Nishani ka vjedhur pronën e kishës katolike në Elbasan.
Duke iu referuar këtyre akuzave, Nishani kërkoi që Prokuroria të nisë hetimet për të vërtetuar dhe identifikuar “hajdutin”. Kreu i Shtetit premtoi se do të ndjekë edhe personalisht seancat e gjyqit.
Veritas.com.al/