(FOTO: Senatori John McCain dhe presidenti Nishani sot në Tiranë)/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Senatorin amerikan dhe ish-kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, i cili po zhvillon ditët e fundit një tur zyrtar në disa vende të Ballkanit.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi rolin udhëheqës dhe kontributin e vyer shumëvjeçar të Senatorit McCain në politikën dhe Senatin amerikan, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, bëjnë me dije burime zyrtare të zyrës së shtypit pranë Presidencës.

“Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë”, theksoi Presidenti Nishani, duke e siguruar Senatorin McCain se vendi ynë dhe Forcat e Armatosura shqiptare do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Senatori McCain diskutuan edhe për situatën e Ballkanit, ku u vlerësua roli dhe kontributi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të përbashkët me orientimin dhe synimin e integrimit e të gjithë vendeve dhe popujve në rajon në bashkësinë euro-atlantike.

/Veritas.com.al