Pas vendimit të BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë në qershorin e 2019, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta deklaron se konkluzionet duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Presidenti shprehet se duhet një lexim i drejtë dhe realist i sfidave serioze që kemi përpara.
Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:
“Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.
Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian, ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE.
Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues, pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim“.
Veritas.com.al/