Sipas programit të publikuar nga zyra e Presidentit, të dielën në orën 19:15, në Institucionin e Presidentit të Republikës, do të organizohet ceremonia e fillimit të detyrës të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Ky i fundit do të marrë detyrën nga Presidenti aktual, Ilir Meta.
Sipas axhendës, do të jetë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ajo që do i dorëzojë Presidentit të ri Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Më pas, Begaj pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse dhe në fund të ceremonisë, e cila pritet të zgjasë deri pas orës 20:00, do të organizohet një pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.
Zgjedhja e Begaj si President
Kujtojmë se më 4 qershor, me një votim të gjymtuar për shkak të mungesës së pjesës më të madhe të opozitës në sallën e Parlamentit, Begaj arriti të siguronte 78 vota pro, teksa kundër ishin katër.
Begaj u propozua si kandidat pas konsultimit të socialistëve prej disa kohësh, ku mbi gjithë kandidaturat, spikati ajo e tija.
Një emër shumë i njohur, i cili vjen nga fusha e mjekësisë ushtarake, Begaj pati pëlqim të menjëhershëm edhe sa i përket opinionit publik për kandidaturën e tij.
Nga vetë opozita, u deklarua se bojkoti nuk ishte ndaj figurës së presidentit të ri, por ndaj procesit, që mazhoranca kishte kryer.
Kush është Bajram Begaj
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.
Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.
Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.