Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e Princit të vetëshpallur,  Vali Corleone, nga Gjilani Kosovë.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit, thotë se pas një mosmarrëveshje me prindërit, Vali Corleone është arrestuar nga policia e Kosovës.

“Po mund ta konfirmoj se ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë”. Ka thënë Hashani për ‘Express’.

Sipas tij ende nuk dihet motivi që çoi atë deri tek problemi me prindërit.

Sipas policisë Vali fillimisht është dërguar në klinikën psikiatrike të spitalit të Gjilanit, pasi ka qenë shumë agresiv në momentin e arrestimit, e më pas është dërguan në paraburgim.

Nga burime të sigurta të medias kosovare që ka marrë pranë familjes së Valit dhe policisë, mësohet se dy prindërit e Valit, R.S. dhe H.S., e kanë kallëzuar atë në polici për ‘ngacmim dhe kanosje’.

Mësohet se Vali një kohë ka bashkëjetuar me prindërit e tij e pastaj i ka përzënë nga shtëpia.

Sipas informatave, policia ka shkuar në shtëpinë e Valit për ta shoqëruar për në stacion për një bisedë, mirëpo në këtë moment Vali është bërë agresiv ndaj policëve, duke refuzuar të shkojë në stacion e duke i kërcënuar policët.

Për publikun shqiptar në Shqipëri, “Princi” është bërë i njohur nga disa puntata të gjata në emisionin ‘Zonë e Lirë’ e Arjan Çanit në Tv Klan.

Veritas.com.al/