Prishtina zyrtare hodhi poshtë kërkesën që autoritetet serbe i drejtuan OSBE-së dhe jo qeverisë së Kosovës , që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë për zgjedhjet parlamentare në Serbi që mbahen me 17 dhjetor.
Ekzekutivi njoftoi se kjo kërkese nuk do të merret parasysh nga autoritetet, për faktin se qeveria e Kosovës ka kërkuar që për ta lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje të veçantë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri Albin Kurti e bëri të qartë se “për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas Kurtit, “kërkesa për një marrëveshje të tillë, duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”…”dhe çdo kërkesë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë. Në të kaluarën zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur edhe në Kosovë ku përfshihej misioni i OSBE-së në grumbullimin e votave, të cilat më pas janë dërguar për numërim në Serbi, kujton DW.
Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se megjithatë, ai mbetet i gatshëm të mbështesë mbledhjen e votave, ashtu sikurse ka vepruar edhe në rastet e mëparshme.