-Oficeri që nxori nga kampi Al Hol vogëlushin shqiptar Alvin Berisha-

Komisioni i Jashtëm i Kualifikimit në polici, i ka hapur dritën jeshile për të vijuar detyrën, Gledis Nanos, drejtor në Drejtorinë e Antiterrorit, në Policinë e Shtetit.

Anëtarët e trupës së Vettingut, kryetar Nertila Sadedini, relator Adriana Meko, anëtar Arta Lleshi gjetën zero probleme në pasurinë, aspektin moral dhe profesional të zotit Nano një oficer karriere në policinë shqiptare.

Gledis Nano u emërua në detyrën e  kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e policisë së shtetit.

Gjatë të gjithë karrierës Nano ka kryer detyra të ndryshme në polici ku ka pasur rezultate në zbulimin e ngjarjeve të rëndësishme.

Në vitin 2013 ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin. Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranian nga Shqipëria.

Burime nga Ministria e Brendshme i thanë Top Channel se Gledis Nano së bashku me një tjetër oficer të Antiterrit morën pjesë në nxjerrjen  nga Kampi Al Hol në Siri të Alvin Berishës.

Për vetë postin e rëndësishëm që ai mban në krye të Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano është trajnuar gjatë të gjithë karrierës së tij nga agjencitë më prestigjioze ligjzbatuese perëndimore dhe në 2017-n është  diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI në Quantico Virginia.

Për vetë natyrën e punës sensitive që bën me ekipin e tij zoti Nano ka mbajtur një profil të ulët mediatik e publik.

I kontaktuar disa herë nga mediat për çështjen  e kthimit të grave dhe fëmijëve nga kampi në Siri është shprehur se: “Nuk them dot një datë të saktë, por po punojmë seriozisht dhe jam gati te shkoj përsëri personalisht për t’i sjellë fëmijët dhe gratë në atdhe.”

VERITAS.COM.AL/