Regjistrimet audio të publikuara nga mediat spanjolle zbulojnë komunikimet mes makinistëve dhe qendrës së kontrollit në Madrid, në minutat para tragjedisë hekurudhore që u mori jetën të paktën 68 personave dhe la dhjetëra të plagosur. Mesazhet ngrenë dyshime për gabime njerëzore dhe shkelje të rregullave të sigurisë, ndërsa tre shtetase italiane rezultojnë ende të zhdukura.
Aksidenti ndodhi të mërkurën në zonën e Toledos, kur një tren i kompanisë private Iryo, me 147 pasagjerë, i ndaluar për shkak të një defekti teknik, u përplas nga pas nga një tren AVE, i kompanisë shtetërore Renfe, me 397 pasagjerë, shkruan A2 CNN. Sipas regjistrimeve, në orën 08:36, qendra e kontrollit i dha makinistit të trenit AVE udhëzimin të rifillonte udhëtimin me shpejtësi normale prej mbi 200 km në orë, pavarësisht problemeve me sistemin e sigurisë. “Me shpejtësi normale?”, pyeti makinisti. “Po”, ishte përgjigjja nga qendra e kontrollit. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, në këto kushte treni duhej të lëvizte me kujdes, duke ndjekur sinjalistikën anësore dhe me shpejtësi të kufizuar, rreth 40 kilometra në orë.
Vetëm pesë minuta më vonë, edhe makinistja e trenit Iryo njoftoi qendrën se kishte humbur komunikimin me sistemin e kontrollit dhe se treni kishte mbetur i ndaluar pranë Urdas. Edhe asaj iu kërkua të rifillonte lëvizjen normalisht.
Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, e cilësoi të pashpjegueshëm vendimin për të lejuar lëvizjen pa kufizime shpejtësie. Kryeministri Pedro Sanchez shpalli tri ditë zie kombëtare, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë. Ekipet e emergjencës punuan gjatë gjithë natës për nxjerrjen e viktimave nga vagonët e shkatërruar, ndërsa tragjedia ka shkaktuar zemërim publik dhe protesta në Madrid Grupe të ekstremit të djathtë u përplasën me policinë mbrëmjen e së mërkurës. Kjo është tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore në Spanjë këtë vit, pas aksidentit pranë Kordobës në janar, ku humbën jetën 46 persona.
Komente