Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm që të përfitojnë nga programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke i ftuar ata t’u drejtohen bankave të nivelit të dytë për të shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të aktivitetit të tyre.

Sipas Ramës, programi synon të mbështesë bizneset që duan të rrisin kapacitetet e tyre dhe të zhvillojnë më tej sipërmarrjet.

Ai u shpreh se qytetarët mund të marrin informacion edhe përmes kanaleve  zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë.

“U vjen në ndihmë të gjithë atyre që kanë sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Në bankat e nivelit të dytë mund të adresoheni për të parë mundësinë e dyfishimit të sipërmarrjes suaj. Në faqen e Ministrisë së Ekonomisë ka edhe një adresë ku mund të drejtoheni për të marrë më shumë informacion”,  tha ai.

Më tej, Rama foli për zhvillimin ekonomik të zonave malore, duke e cilësuar “Paketën e Maleve” si një mundësi për banorët që duan të zhvillojnë potencialet e këtyre zonave dhe t’i kthejnë ato në burim mirëqenieje.

“Paketa e Maleve” është ajo që u ka munguar njerëzve që kanë të drejtë ta zhvillojnë pronën dhe ta kthejnë në burim mirëqenieje. Këto janë argumentet dhe faktet. Po shkoj në Theth, aty ku realiteti i hedh poshtë të gjitha broçkullat që thuhen për mënyrën se si mund të zhvillohet ekonomia e maleve. Paketa e maleve do jetë histori e madhe suksesi e shqiptarëve, për të ba Zvicrën e vogël.”, tha Rama./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *