( Foto: Deputetja Klotilda Bushka)/

Në mes të debatit për ndryshimet e ligjit për komunikimet elektronike, si pjesë e paketës antishpifje të hartuar nga qeveria, Klotilda Bushka, deputete dhe anëtare e Komisionit të Ligjeve, thotë se si referencë janë marrë parashikimet ligjore në ligjin aktual për mediat audiovizive.

Megjithatë, në një intervistë për Tv Klan ajo deklaron se po punohet që ditën e hënë në Kuvend draftet të kenë amendime të reja. Amendimet prekin nenet më të debatueshme nga shoqatat e mediave.

Një nga propozimet e reja është që masa e gjobave të cilat janë të parashikuara në draftin aktual, të jenë proporcionale me buxhetin e televizioneve dhe portaleve që shkelin ligjin.

Po ashtu, pas këmbënguljes edhe të OSBE, në draftin final do të jetë e specifikuar qartë që gjobat që vendosen nga AMA të jenë të ankimueshme në Gjykate.

Një tjetër shqetësim i shoqërisë civile dhe mediave është dhe fakti se Këshilli i Ankesave mund të përdoret politikisht për të luftuar media të caktuara. Për të hequr çdo dyshim, edhe pse Bushka thotë se AMA është një autoritet i pavarur edhe për shkak të formulës së përbërjes së saj, propozohet që anëtarët e këtij këshilli të përzgjidhen me konkurs dhe jo të emërohen.

Parashikimi ligjor që gjobat e vendosur nga AMA janë tituj ekzekutiv dhe duhet të ekzekutohen menjëherë pa pritur të flasë gjykata me vendim të formës së prerë, është një tjetër nen që kundërshtohet. Por për këtë maxhoranca ende nuk ka marrë një vendim për ta ndryshuar. Gjithsesi, burime zyrtare nga grupi socialist pohojnë se nëse do të ndryshohet, atëherë kjo do të vlejë jo vetëm për portalet, por dhe për televizionet dhe radiot, për të cilat kjo procedurë po ndiqet aktualisht.

VERITAS.COM.AL/