Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka udhëzuar Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore që të hartojnë shërbimet e gatishmërisë për të mbikqyrur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë, të cilat zhvillohen të dielën, 25 Qershor 2017.
Në bazë të komunikimit që ka zhvilluar Prokurori i Përgjithshëm, strukturat lokale të Prokurorisë Shqiptare kanë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë, të cilat janë në funksion duke filluar nga dita e shtunë (dt. 24.06.2017) deri ditën e hënë (26.06.2017). Strukturat e gatishmërisë përbëhen nga prokurorë dhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksionit të Prokurorisë.
Në një komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit lokalë të Prokurorisë, z. Llalla ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese, si edhe orientimin e saktë dhe të shpejtë të hetimit për çdo problematikë të mundshme penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore kanë informuar Prokurorin e Përgjithshëm se po zhvillojnë në mënyrë dinamike veprime procedurale mbi kallëzimet penale të përcjella pranë tyre gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka hartuar grafikun e saj të gatishmërisë, me qëllim koordinimin sa më të shpejtë dhe të plotë të të gjithë strukturës për menaxhimin e duhur të problematikave të mundshme.
Prokuroria e Përgjithshme po vijon të zhvillojë komunikim intensiv me Task-Forcen e krijuar nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e situatës zgjedhore.
Veritas.com.al/