Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës për të pushuar çështjen në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD.

Më 13 janar, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj kryedemokratit për “falsifikim dokumentesh” në lidhje me lobimin e kryer nga PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Prokuroria nuk e ka pranujar vendimin e gjykatës.

Pretendimet e dy prokurorëve, Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj, kanë qenë rikthimi i akteve për rihetim si dhe marrja në pyetje të dëshmitarit kyç të çështjes, Nik Muzzin. Autoritet amerikane kanë kërkuar garanci nga ato shqiptare se ndaj Muzzin nuk do të ketë procedim penal nëse vjen Në Shqipëri. Por edhe pse ky miratim është marrë, Muzzin nuk u mor asnjëherë në pyetje.

Prokuroria e kishte marrë nën hetim Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD, pasi sipas saj kishte gjetur elementë të veprave penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Prokuroria pretendonte se kishte një mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD dhe shpenzimeve reale.

Sipas prokurorisë së Tiranës, PD nuk ka deklaruar për KQZ dy pagesa prej 650 mijë dollarë në SHBA në vitin 2017, ku një prej pagesave është kryer nga shoqëria e huaj Biniatta Trade.

Çështja penale u pushua edhe për dy të bashkëpandehurit e Bashës, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi. Vendimi u dha nga gjyqtari Lazer Sallaku në përfundim të seancës paraprake, në të cilën Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokatët Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.

Gjyqtari Sallaku u përball me dy qëndrime nga tre prokurorët e çështjes, ku prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha kërkuan kalimin e dosjes në gjykim për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa prokurori Kolë Hysenaj, kthimin e dosjes për plotësim hetimesh.

Veritas.com.al/