Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar miliona euro pasuri të familjarëve të Devi Kasmit, i cili u vra në janar 2018 në Tiranë për prishje të pazareve të drogës. Familjarëve të Kasmit dhe gruas së tij, E. Selimi iu sekuestruan 37 pasuri me vlerë disa milionë euro. Pokuroria thotë në një njoftim zyrtar për mediat, se nga ana e policisë gjyqësore u krye verifikimi i pasurive të E. Selimi, bashkëshortja e Devi Kasmit dhe familjareve të tyre, të cilëve u rezultojnë disa kontrata shit-blerjesh pasurish të tundshme dhe të patundshme, si dhe disa pasuri të regjistruar në Kadastër.

Pronat e sekuestruara rezultojnë që të jenë në emër vëllait, babait, nënës, gruas dhe të tjerë familjarë të Kasmit, thotë prokuroria në njoftimin për shtyp.

Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal numër 3211 më 30 Prill 2020  për veprat penale të “Pastrimit te produkteve te vepres penale ose veprimtarise kriminale”. Verifikimet e pasurisë u bënë nga institucione të ndryshme që prokuroria kërkoi informacion.

“Pasuritë nuk justifikohen nga një aktivitet ekonomik i mirëfillte. Ato pasuri dyshohet se rrjedhin dhe janë produkt i akivitetit kriminal. Personat që i zotërojnë këto pasuri,  nuk rezultojnë të kenë veprimtari të rregullt dhe të mirëfilltë ekonomike që të justifikojnë burimin e ligjshëm dhe me pas edhe rritjen e këtyre pasurive”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet se bashkëshortja e Devi Kasmit kishte prokurë për pronat e D.Shehut, që është motra e Olsi Shehut. Ky i fundit – thotë prokuroria – “nga informacionet e marra në rrugë operative rezulton ka qenë pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal që drejtohej nga Devi Kasmi kryesisht në shitjen dhe menaxhimin e lëndëve narkotike në shtetin Italian”. Olsi Shehu ishte shpallur në kërkim më 23.03.2017 per veprën Penale “Shkelje te Ligjit per drogat” por më  26.09.2017 është kapur nga vete autoritetet italiane dhe eshte denuar me 17 vjet burg per vepren penale “Shkelje te Ligjit per drogat” parashikuar nga nenet 73, 74 dhe 309/90 te Kodit Penal Italian”, thotë prokuroria në njoftim zyrtar.

Në shkurt të vitit 2019 prokuroria mbylli hetimet për ekzekutimin e Devi Kasmit dhe dosja u dërgua në gjykatë. (Lexo këtu).  Efthymiou Efthymious, 41 vjeç,  lindur e banues Arta Greqi u dënua nga Gjykata me burgim të përjetshëm për vrasjen e Devi Kasmit poshtë pallatit të banesës ku jetonte. Ndërsa si porositës grupin kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxhallari, ende i shpallur në kërkim.

Prokuroria thotë se pas vrasjes së Kasmit në rrugën “Kongresi i Manastirit” gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan lëndë narkotike, një armë zjarri automatik si dhe dy krehëra me nga 10 fishekë të cilët viktima i mbante pa leje. Sipas informacioneve nga Interpol Madrid Spanjë Devi Kasmi ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 21.05.2010 për veprën penale të vrasjes, por dosja është arkivuar pasi me datë 29.01.2018 ai është vrarë në Tiranë.

VERITAS.COM.AL