Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se Ukraina do të dalë nga lufta me Rusinë me një formë tjetër territoriale, duke parashikuar se konflikti do të përfundonte së shpejti.
Në një intervistë për “60 Minutes” të CBS News, Trump shprehu besimin se Washingtoni është afër ndërmjetësimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, megjithëse ai nuk ofroi detaje rreth lëshimeve të mundshme territoriale.
“Mendoj se ne do ta bëjmë atë dhe mendoj se do të ndodhë dhe ata do të përfundojnë me një formë pak më ndryshe“, tha ai.
Trump fajësoi tensionet midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për komplikimin e negociatave. “Besoj se ajo luftë do të përfundojë së shpejti dhe arsyeja e vetme që do të përfundojë është për shkak meje“, tha ai.
I pyetur nëse Putini po i zgjat negociatat, Trumpi e hodhi poshtë pretendimin dhe mbrojti të dhënat e administratës së tij për Rusinë. “Nuk ka patur njeri që ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se unë“, tha ai duke përmendur sanksionet dhe masat tregtare.
Trumpi mbrojti vendimin e tij për të lejuar eksportet ruse të naftës pavarësisht kritikave se masa ka lehtësuar presionin ndaj Moskës. Ai tha se Washingtoni vazhdon furnizimin me armë për Ukrainën, por theksoi se vendet evropiane po i blejnë ato nga SHBA-ja me çmimin e plotë.
“Unë ia jap Evropës, e shes me çmim të plotë dhe ata na paguajnë“, tha ai. I pyetur lidhur me raportet se qasja e Ukrainës në sistemin satelitor Starlink të Elon Muskut është kufizuar, Trump tha se nuk e di se kush është përgjegjës.
“Unë nuk mund t’ju them se kush e refuzoi. Mund t’ju them se në fund ai e riktheu atë dhe kështu ata e kanë atë“, tha ai. Trumpi shtoi se ai nuk ka parë prova se shpejtësitë e sistemit janë ulur qëllimisht.
Komente