Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar të gjitha hapat që ka ndjekur në verifikimin e Valdrin Pjetrit, kryebashkiakut të dorëhequr të Shkodrës. Sipas prokurorisë, që në momentin që pranë saj ka mbërritur kërkesa e Partisë Demokratike për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri dhe, në të njëjtën datë ka filluar procedura e verifikimit. Janë çuar kërkesa drejt Komisionit Qendror të zgjedhjeve, por edhe drejt shtetit italian. Përgjigja italiane ende nuk ka mbërritur.

Valdrin Pjetri u deryrua të japë dorëheqjen pasi partia Demokratike demonstroi me prova se në vitin 2003 ai ishte arrestuar në Itali në posedim të lëndëve narkotike. Valdrin Pjetri e mohoi në fillim akuzën, por pasi PD tregoi dokumentat nga Italia, dhe reagoi ashpër edhe kryeministri Rama, Pjetri deklaroi dorëheqjen, duke e futur në krizë situatën në Shkodër. Bashkia ende nuk po konstituohet dhe në detyrë është ende Voltana Ademi.

Ja cilat janë hapat që ka ndjekur Prokuroria e Përgjithshme:

Më datë 06.08.2019, është administruar formulari i vetë deklarimit të subjektit Valdrin Pjetri prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më datë 06.08.2019, i është dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë (prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda).

Më datë 06.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri.

Më datë 09.08.2019, shtetasit Valdrin Pjetri i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Më datë 14.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike për subjektin Valdrin Pjetri, duke bashkëngjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian.

Më datë 14.08.2019, është dërguar shkresa pranë Departamentit të Administratës Publike për tërheqjen e Formularit të Vetë deklarimit të subjektit Valdrin Pjetri, të depozituar më parë prej tij, si subjekt i ligjit Nr. 138/2015.

Më datë 16.08.2019, Departamenti i Administratës Publike ka paraqitur Formularin e Vetë deklarimit të subjektit Valdrin Pjetri, të depozituar pranë saj me datën 02.05.2016.

Më datë 19.08.2019, Instituti i Policisë Shkencore ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme gjurmët daktiloskopike të  depozituara nga subjekti Valdrin Pjetri.

Më datë 19.08.2019, është dërguar shkresa pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, duke bashkëngjitur gjurmët daktiloskopike të depozituara nga subjekti i sipërcituar, pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane të drejtësisë, si dhe të përgjigjes nga autoritetet policore italiane, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi.

VERITAS.COM.AL/