Nga Ardit Rada
Sali Berisha ka mbajtur sot protestën e tij të parë në një shesh publik, pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, gjëja më ‘e madhe’ që tha ishte se Edi Ramën e ka armik… Pjesa qesharake ishte ajo që betohej me flamur në dorë së bashku me Kryemadhin, si Ilir Meta para popullit të 2 Marsit. Dhe aspekti më i sikletshëm në fjalim ishte dhe mbetet kompleksi që ka Sali Berisha para shqiptarëve.
Në të gjithë ligjëratën e tij pati një kujdesje për ta theksuar e ritheksuar se protesta nuk bëhej për hallet e tij, por për të ardhmen. Pavarësisht se shumë nga folësit në mënyrë ndoshta të pandërgjegjshme kërkuan riciklimin e elitave politike, Sali Berisha tragjikisht mendon që i përket Shqipërisë së të nesërmes. Tubimi në thelb i kënaqi të gjithë nga pak. Së pari Policinë që s’e preku njeri me dorë, atë apo institucionet. Së dyti Monika Kryemadhin, Petrit Vasilin dhe disa bishta të shoqërisë civile që iu dha mundësia të flasin edhe një herë në një tribunë. Së treti, vetë Berishën që më shumë sesa pa në shesh ndonjë shpresë për pushtetin e tij, në fakt pa një pjesëmarrje serioze.
Pikërisht kjo pjesëmarrje bëri që qysh në minutat e para zëra që publikisht prej vitesh janë listuar kundër Sali Berishës, ia njohën si meritë, për të mos thënë risi. Në fakt, kush e ka ndjekur Partinë Demokratike të vitit të fundit e ka të thjeshtë ta priste atë pjesëmarrje që ‘çuditi’ disa syresh. I gjithë aktiviteti i Sali Berishës ka qenë i fokusuar gjatë Foltores tek fakti se Lulzim Basha s’e ka pyetur kurrë për aksionin politik dhe s’e i ka tradhtuar opozitarët duke u tërhequr nga protestat. Për të justifikuar dështimin e partisë së saj familjare zgjedhje pas zgjedhjesh, edhe Monika Kryemadhi e ka akuzuar më parë ish-kreun e PD se i tradhtoi në sheshe nga ‘Astiri’ tek Teatri. Ndërsa Berisha i vuri vulën para dy ditësh teksa i cilësoi Bashën dhe Alibeajn si zjarrfikësit e tubimeve të opozitës.
Por të gjithë ata që u çuditën sesi Sali Berisha mbushi sheshin në një mbrëmje të 7 korrikut mjafton të hedhin sytë tek e shkuara e afërme. Jo vetëm tek ‘Foltorja’, por edhe te roli i Lulzim Bashës që në mos zjarrfikës, tregoi një paaftësi teksa drejtoi Partinë Demokratike sa i përket aksionit në rrugë. I gjithë inati opozitar i ndrydhur dhe i akumuluar ndër vite për shkak të Lulzim Bashës, u shfry sot në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Dhe s’ka asgjë për të shqyer sytë sesi një parti mbledh në shesh 1% të 600 mijë votave që fiton nëpër zgjedhje.
Përse i ndrydhi Basha opozitarët? Këtë nuk e dimë ende, por Berisha thotë prej kohësh se ishte i përfshirë në pazare me qeverinë. Së paku, Berisha është më i sinqertë dhe s’e mohon. E do të gjithë pushtetin për vete dhe për pazare ka Ilir Metën.