Nga Lushnja, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar sërish për protestën e kontrollorëve të Albcontrol, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dështuar me aeroportin e Rinasit. Sipas Bashës, Rama vuri veten mbi shqiptarët.
“Dështim në ekonomi, dështim në shëndetësi, dështim në arsim, dështim në gjithçka. Edhe kjo që po ndodh me aeroportin nuk është gjë tjetër veçse dështimi i radhës së një njeriu që ka vënë interesat e tij mbi interesat e çdo shqiptari. Ndaj, di që padurimi për ta larguar është i madh, por prapë se prapë dua t’i referohem atyre nënave që takova, atyre zonjave që takova në bulevard, që ma thanë thjesht dhe qartë se ora po vjen, dita po vjen. Lushnjarët do të jenë bashkë dhe do të votojnë bashkë për ndryshimin. Mos harroni se ndryshimi është në dorën tuaj, është në votat e bashkimit tuaj që me 25 prill duhet të jetë shembullor dhe europian. Në dorën time dhe në dorën tonë është t’ju përfaqësojmë denjësisht. Në dorën tonë është të rihapim rrugën e Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian, e Shqipërisë me ekonomi që rritet, që prodhon vende pune, që siguron paga, që e mban rininë këtu afër familjeve tyre duke ju dhënë mundësinë të arsimohen, të punësohen duke risjellë gëzimin në vatrat tona, duke ,larguar stresin, varfërinë dhe papunësinë e këtyre 8 viteve. Ndaj e ndiej dhe e kuptoj se ndryshimi për të gjithë ju këtu dhe shumë e shumë të tjerë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, tashmë ka ardhur në zemrat tuaj. Le ta bëjmë realitet me 25 prill votoni Partinë Demokratike për ndryshim. Të gjithë bashkë për ndryshim Lushnja fiton, Shqipëria fitonFitore! ”, pohoi ai.