Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të reja dhe më të ashpra ekonomike ndaj Iranit dhe çdo vendi që e ndihmon apo bën biznes me të. Në një postim në Truth Social, Trump tha se po niste “operacionin ekonomik më shkatërrues” të ndërmarrë ndonjëherë ndaj një vendi. Ai paralajmëroi se shtetet që u ofrojnë Iranit mbështetje financiare, ekonomike apo logjistike do të përballen me “pasoja të jashtëzakonshme ekonomike”.
Kërcënimi vjen pasi armëpushimi 60-ditor mes palëve skadoi pa një marrëveshje diplomatike për luftën që SHBA-ja dhe Izraeli nisën në fund të shkurtit. Irani e cilësoi deklaratën e Trumpit si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet ekonomike të SHBA-së.
Trump përmendi ndalimin e kontrabandës së naftës, transfertave të parave, kompanive fasadë dhe çdo forme tjetër mbështetjeje për Teheranin. Në shënjestër mund të jetë edhe Kina, e cila është blerësja më e madhe e naftës iraniane. SHBA-ja ka vendosur më parë sanksione ndaj rafinerive private kineze që përpunojnë naftë nga Irani.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar ndërprerjen e lidhjeve financiare dhe ekonomike me Iranin, pas një kërcënimi të ri me raketa nga Teherani. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se SHBA-ja së shpejti do të vendosë ndaj Iranit një izolim ekonomik “siç bota nuk e ka parë kurrë më parë”./
Komente