Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçi, ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së opozitës, ku u përdorën molotovë dhe mjete të tjera të dhunshme.

Koçi i quajti kriminelë të organizuar ata që goditën punonjësit e Policisë dhe jo protestues.

Ministrja shtoi se përdorimi i molotovëve është një veprim me qëllim për të goditur dhe dhunuar ata që janë në krye të detyrës. Ajo u shpreh se kjo nuk është një protestë apo përplasje, por një “tentativë vrasjeje.”

“Në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT, pranë punonjësve të Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre. Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotov, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës. Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.

Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje. Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa element kriminal të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, tha Koçiu.

Nga protesta e opozitës mbetën të plagosur 16 efektivë si pasojë e hedhjes së molotovëve dhe mjeteve piroteknike.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *