Tre persona janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar para Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu në kërkim janë shpallur edhe tre të tjerë.
Procedimi ka nisur për shtetasin, Klodjan Korriku, Selaudin Gordani dhe Arben Qordja.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit: -Klodjan Korriku, Selaudin Gordani dhe Arben Qordja, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dy 19-vjeçarë dhe një 57-vjeçar, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë.