Protesta që Partia Demokratike mbajti këtë të hënë duke bllokuar për një orë akset rrugore kombëtare, nuk është e vetmja. Të tjera pritet të zhvillohen në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke i paraprirë kështu protestës së lajmëruar të 7 majit, kundër mbajtjes së zgjedhjeve për bashkinë e Kavajës.
Deputeti demokrat Aldo Bumçi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tha se protestat do të jenë në forma të ndryshme, jo vetëm me bllokim të rrugëve. Por ai siguroi edhe një herë se ashtu sikundër u faktua këtë të hënë, edhe në protestat e radhës, nuk do të ketë dhunë.
“Do të ketë protesta të tjera me forma të ndryshme që do të bëhen të ditura më pas. Jo vetëm në Tiranë, të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Do vijojnë më 7 maj në Kavajë, nuk mund të ketë zgjedhje në Kavajë”, theksoi ai.
Bumçi tha se kjo protestat janë një formë për të shprehur kundërshtinë ndaj qeverisë aktuale, duke theksuar njëherësh kërkesën e opozitës për qeveri teknike.
Deputeti demokrat tha se policia është njoftuar për mbajtjen e protestës, dhe sipas ligjit të ndryshuar, Bumçi tha policia nuk e ka për detyrë të japë leje, por vetëm duhet njoftuar.
Fakti që policia tha se protesta është e paligjshme dhe i bëri thirrje qytetarëve të mos e mbështesin këtë vendim të opozitës, sipas Brumçit, ndikoi që shumë qytetarë të mos dilnin në tubim.
“Kjo thirrje i ka ndikuar qytetarët, se do ishin disa herë më shumë. Policisë nuk i merret leje, ka ndryshuar ligji, vetëm njoftohet. Pse filmuan? Për të identifikuar militantët e PD-së? Qytetarët e lirë?”, – u shpreh deputeti i PD-së.
/Veritas.com.al/