Frrok Çupi/

Sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e kombit’ manifestohet një shfaqje me artin e vjetër realist të periudhës së ‘lumtur’ socialiste kur populli ishte i kënaqur dhe duheshin vetëm retushe të thjeshta për shoqërinë. Estradat e periferisë që në atë periudhë vinin në qendër disa gabime të ‘korrigjueshme’ si pastërtia, fanatizmi i disave, gratë që rruajnë burrat, përqeshja për të prapambeturit duke i paraqitur me karikatura…

Në protestën e sotme janë të gjithë këta elementë. Shtohet veç një element bashkëkohor, sot nuk ka vetëm një mjet me të cilin perceptohet ‘arti’ i realitetit: Sot ka audio, figurë dhe vizatim aty për aty.

Disa të rinj protestues sapo morën në duar fshesat dhe po pastrojnë bulevardin, në shenjë qortimi për ‘papastërtinë’. Kryeministri është paraqitur si ‘personazh negativ’ i përrallës dhe është vizatuar si mbret me kurorë kanabisi. Lëvizja e djathtë politike ka qenë e pakujdesshme; ajo edhe përkrah mbretin, edhe ironizon mbretin. Një grua është paraqitur duke rruar fytyrën e një burri; kjo thonë se është prokurore e Përgjithshme duke rruar një ish- ministër; por edhe kështu krijohet përshtypja e vjetër e ‘skllavërisë’ së gruas para burrit.

Gjithë atmosfera e protestës duket se kërkon një manifestim krijimtarie të artit të thjesht popullor, por jo një pakënaqësi popullore. Me këtë rast, më të kënaqurit paraqiten protestuesit, aq më shumë që kanë mundësinë të manifestojnë talentin. Ndërsa jeta është ‘e bukur’, veçse duhen bërë disa pastrime të vogla! Kjo është përshtypja që krijohet nga protesta. Sipas zakonit të vjetër socialist, pas manifestimit të ‘gëzuar’ popullor, del udhëheqësi dhe thotë se ‘do t’i korrigjojmë të metat që na vutë re’.

Kjo është pamja e protestës.

Opozita ka bërë ‘be e rrufe’ se do të ketë veç gaz e hare; ndërsa qeveria ka angazhuar qindra forca policie- edhe nga bota për të treguar se ‘në Shqipërinë Demokratike ‘protestat janë serioze’. Edhe seriozitetin e protestës së opozitës e ‘vizaton’ qeveria.

Kjo ishte paraqitja vizive.

Ndërsa fjalët e protestës kanë nisur prej disa ditësh. Janë tre palë ata që flasin:

E para, opozita që ‘ledhaton’ me sentenca ironike dhe me sajesa linguistike të gjata.

E dyta, qeveria, e cila bën sikur po shqetësohet, por në fakt nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Kryeministri që në mëngjes ka paraqitur ‘Shqipërinë që duam’. Edhe kjo palë bën ironi me opozitën.

Pala e tretë: Ata që nuk janë as me qeverinë as me opozitën. Këta e kanë marrë seriozisht dhe mendojnë se po bëjnë një punë. Disa burra nga Shkodra thanë në ekran “Ekonomi, ekonomi…, jena keq këto katër vjet”.

Kur të kthehen në shtëpi këta do t’i pyesin: “Ku ishit?…”. “Asgjëkundi”, përgjigjja.

Veritas.com.al/