Mundësia për zgjedhjen kreut të ri të grupit parlamentar të PS ditën e sotme është shuar nga mungesa e kryeministrit Rama. Mbledhja e sotme do të drejtohet edhe këtë herë nga Taulant Balla.
Kreu i ri i grupit duhet të plotësojë disa kritere. Së pari nuk duhet të jetë ministër, duhet të ketë eksperiencë dhe të jetë profil konsensual që mund të ketë fuqi politike që të negociojë me opozitën. Mbi të gjitha duhet të jetë një person që të ketë durimin për të qëndruar në seanca të gjata parlamentare, pasi kreu i grupit nuk largohet asnjëherë nga seanca.
“Për momentin nuk kemi asnjë potencial për të zëvendësuar Ballën”, raporton gazetarja e ABC News, Esiona Konomi. Emri i Ballës ende nuk ka shkuar në Presidencë, parashikohet të ndodhë sot dhe deri të enjten presidentit pritet të dekretojë ndryshimet në qeveri.
Gazetarja mëson po ashtu se Rrahman Rraja vetëm para pak çastesh ka protokolluar në Kuvend dorëheqjen e tij. Nga ky moment ai nuk gëzon asnjë imunitet dhe policia mund ta kontrollojë lehtësisht shtëpinë e tij.
Pavarësisht se ai deklaroi dorëheqjen të shtunën, akti vetëm sot është zyrtarizuar.