Partia Socialiste do të shkarkojë kryetarët në 61 degët e saj në vend dhe do të bëjë rizgjedhjen e tyre sipas rregullave të reja. Report Tv ka zbardhur draftin që PS do dërgojë në Kongresin që do të mbajë më 9 prill.

Kërkesa e tyre për ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve, arsyetohet nga PS  për t’i hapur rrugë implementimit të ndryshimeve në organizimin e strukturës së drejtimit në nivel bashkie.

Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022. Gjithashtu degëve të PS do i shtohet edhe posti i Sekretarit Ekzekutiv.

Po si do zgjidhen kryetarët e rinj të degëve dhe Sekretari Ekzekutiv?

Në nenin 26 të statutit të PS përcaktohet mënyra se si do të zgjidhen kryetarët e rinj të degëve, të cilët kanë një mandat 4-vjeçar

1. Kryetari i partisë i bashkisë përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të bashkisë dhe me miratimin e Kryesisë sipas procedurës së përcaktuar në Librin e rregullave.
2. Mandati i kryetarit të partisë të bashkisë është, si rregull, katër vjet. Ai ndërpritet para kohe kur kryetari i partisë i bashkisë:
a. Jep dorëheqjen;
b. Shkarkohet nga Kryesia e Partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të Statutit dhe etikës;
c. Humbet besimin e anëtarësisë dhe të organizatave socialiste të bashkisë, nuk fiton në mocionin e votëbesimit të zhvilluar për të;
d. Humbet në zgjedhjet vendore ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë përkatëse.
3. Në rastet e mësipërme, mandati ndërpritet automatikisht. Në mungesë të kryetarit të partisë të bashkisë, detyrat e tij i kryen Sekretari ekzekutiv, ose një i ngarkuar nga Kryesia e Partisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
4. Kryetari i partisë i bashkisë është anëtar i Asamblesë Kombëtare (AK), si përfaqësues i anëtarësisë së partisë të bashkisë përkatëse.
5. Kriteret, procedura e zgjedhjes dhe e shkarkimit si dhe detyrat kryesore të kryetarit të partisë të bashkisë përcaktohen në Librin e Rregullave.

Ndërsa neni 27 përcakton mënyrën se si do të zgjidhet sekretariati ekzekutiv në nivel bashkie. Sekretari Ekzekutiv do zgjidhet në nivel bashkie dhe do të jetë punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë.

1. Pranë çdo Asambleje Socialiste të Bashkisë ngrihet Sekretariati ekzekutiv që drejtohet nga një person i përzgjedhur nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë, i cili do të ushtrojë funksionin e Sekretarit Ekzekutiv.
2. Sekretari Ekzekutiv i Partisë në nivel bashkie është punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë, dokumentacionin, burimet materiale dhe çdo aspekt tjetër administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie. Në punën e tij ai mund të ndihmohet dhe nga staf mbështetës.
3. Për zbatimin e detyrave të tij Sekretari Ekzekutiv përgjigjet përpara Kryetarit të Partisë së Bashkisë si dhe Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë Socialiste.
4. Kriteret, procedura e përzgjedhjes, kushtet e punës, paga, mënyra e raportimit, struktura si dhe detyrat funksionale të Sekretarit ekzekutiv të partisë së bashkisë përcaktohen në Librin e Rregullave.

Kongresi i PS që do të mbahet më 9 prill do të nis në orën 12.00 dhe do të mbyllet në orën 15.00, ku në fjalën hapëse të punimeve do e këtë Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri. Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe Këshillimi Kombëtar, si dhe diskutimet që do të shërbejnë për hapjen e fuqizimin e PS. Fjalën do e mbajë edhe kryeministri dhe kreu i PS, Edi Rama, ndërsa në fund do të miratohen ndryshimet e statutit.