TIRANË-Kryeministri Edi Rama do të kandidojë në Vlorë dhe në Durrës në vendin e 8-të duke u vendosur në kufi të bazës së mandateve që pritet të marrin, ashtu si dhe drejtuesit e tjerë politik të qarqeve duke u bërë njësh me ta. Rreth orës 23:10 numri dy i PS, Taulant Balla bëri publike listën e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohet në zgjedhjet e 25 prillit. Shumica emra të rinj, ndërsa emrat e gardës së vjetër të PS nuk janë vendosur në pozicione të sigurta në listë si Mimi Kodheli, Pandeli Majko apo Fartmir Xhafaj.
Gjithashtu është vënë re mungesa të emrave të rëndësishëm në PS, si Elva Margariti, Sandër Lleshaj, Sadri Abazi, Elona Gjerbrea, Ditmir Bushati, Adnor Shameti, Senida Mesi, Anasta Angjeli. Në listën e PS janë edhe 5 emra nga opozita parlamentare që i janë bashkuar socialistëve si Halit Valteri Tiranë, Nimet Musai Fier, Klajdi Qama Berat, Ylli Shehu Tiranë dhe Enver Rroshi Elbasan edhe pse jo në pozicione të sigurta.
Me sloganin “Shqipëria, e ardhmja jonë”, Partia Socialiste do të hyjë në garën e 25 prillit për të marrë minimumi 78 mandate dhe maksimumi 88! Ky është objektivi i PS-së nga këto zgjedhje, për të cilat kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur se me skuadrën që ka formuar do ia dalë! Ai ka prezantuar ditën e sotme ‘kokat e listave’ për çdo qark, ku në ndryshim nga PD dhe LSI, kundërshtarë e tij në zgjedhje, kryeministri u shpreh se ai nuk do të renditet i pari, por në kufirin e objektivit bazë. Kjo për të dhënë mesazhin se ai nuk ka “frikë” nga zgjedhësit dhe radhën do ua lërë të rinjve.
Tirana do të kryesohet nga Najada Çomo dhe Luljeta Bozo, dy figura që kanë luajtur një rol thelbësor në përballimin e dy fatkeqësive me të cilat u përballë vendi, pandemia dhe tërmeti. Në 5 qarqe, më konkretisht Fier, Elbasan, Gjirokastër, Kurbin, Durrës janë emra të “vjetër” në PS, e ndërsa në 7 qarqet e tjera janë emra krejtësisht të rinj. Edhe pse tha se drejtuesit e qarqeve nuk do të jenë të parët në listë, përjashtim ka bërë me Lindita Nikollën, që mesa duket në rastin e saj, ka prevaluar fakti që ajo është një grua.
Theksin e vuri që lista nuk është e hartuar nga ai, por nga drejtuesit e qarqeve dhe për të përforcuar këtë deklaratë, ai shtoi se ka pasur propozime të tij që nuk i janë pranuar, pasi nuk janë vlerësuar si kandidatura të vlefshme. Me këtë listë, Rama tha se u njoh jo më larg se dje. Kriteret e vlerësimit të kandidatëve kanë qenë disa, duke nisur nga opinioni që ka media apo rrjetet sociale për ta deri te analiza e kundërshtarit. Ndalur këtu, te kundërshtari politik në këtë 25 prill, Rama nuk nguroi t’i ironizonte, duke thënë se avantazhi i tyre është se “zgjohen herët dhe flenë vonë”, si edhe janë figura më të përgatitura.
VERITAS.COM.AL