Socialistët do të nisin fushatët e tyre elektorale nga “Parku Olimpik” në Tiranë, ora 17:00. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu rapotoi në edicionin e lajmeve të orës 15:00 se, fushatata do të çelet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Më pas do të flasin disa kandidatë, nga ato bashki që deri më sot janë qeverisur nga PD dhe LSI. Erion Veliaj, që garon në Tiranë për një mandatë të dytë, mësohet se nuk ka një fjalim të parapërgatitur, por do të shpalosë vizionin për Tiranën e 4 viteve të ardhshme.

Fjala e kryesocialistit Edi Rama do të përmbyllë çeljen e fushatës.

Top Channel raportoi të premten se socialistët nuk do të zhvillojnë një fushatë euforike dhe me risi, si në zgjedhjet e shkuara, por në një ambient të mbyllur në “Parkun Olimpik” të Tiranës, për vet situatën politike në të cilën zhvillohen këto zgjedhje.

Paçka se në 35 bashki socialistët nuk kanë rivalë, për ata ka rëndësi parësore zhvillimi i këtyre zgjedhjeve më 30 qershor, përfshi realizimin e tyre me standarde.

Për të gjithë mbështetësit e PS-së që duan ta ndjekin nga afër çeljen e fushatës, jashtë sallës kryesore të “Parkut Olimpik” do të vendosen dy ekrane gjigante. Një prej anëtarëve të shtabit elektoral socialist i tha Top Channel se, krahas vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, Partia Socialiste ka kërkuar një prani të shtuar të vëzhguesve të huaj.

Ftesa u janë dërguar gazetarëve dhe televizioneve të ndryshme ndërkombëtare për të mbuluar procesin e votimit më 30 qershor. Socialistët nuk i përjashtojnë incidentet në ditët e votimit, por si zgjidhje, nëse në qendra caktuara do të pengohet votimi, ato do të përsëriten disa javë më pas.

Përmes një qarkoreje të brendshme dërguar shtabeve elektorale, ato u porositën të dokumentojnë me foto dhe video të gjithë ata, të cilët do të tentojnë të bllokojnë vullnetin e qytetarëve për të votuar.

Veritas.com.al/