Socialistët pritet të dalin në fushatë elektorale me një premtim shumë ambicioz.
Strukturat e partisë në mazhorancë janë duke përgatitur dokumentin e programit për mandatin e tretë të synuar dhe nga ky draft, pare nga Top Channel është vendosur edhe vetingu i politikanëve. Se si do realizohet ky vetting nuk ka detaje në këtë program, por projekti ka për të shkaktuar debate të forta. Në draft programin e socialistëve në kapitullin për drejtësinë thuhet se :
“Pas përfundimit të vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve, do të përshpejtojmë procesin e vettingut të Policisë së Shtetit dhe fillojmë procesin e padëshiruar nga askush tjetër, atë të vettingut në politikën shqiptare”.
Në fakt vettingu në drejtësi është një proces që do të zgjasë ndërsa pas katër vitesh në vetting kanë kaluar vetëm gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve.
Projekti i socialistëve nuk ka një shpjegim për vettingun e politikës.
Deri më tani ka vetëm një model se si po bëhet vettingu i drejtësisë, nëpërmjet strukturave të posaçme që u ndërtuan me ligj të veçantë dhe që po kontrollojnë, pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin e njerëzve të drejtësisë.
Këto kontrolle kanë nxjerrë nga sistemi dhjetëra gjykatës dhe prokurorë që dikur ishin të paprekshëm.
Ndërkohë që SPAK, prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po funksionon duke goditur disa personazhe të spikatur.
VERITAS.COM.AL