Nga Enton Abilekaj/

Fushata për kryetarin e Partisë Demokratike po merr më pak vëmendje se lajmi që Gramoz Ruçi do bëhet kryetar i Kuvendit, se deputetët e PS mund të bojkotojnë seancën e jashtëzakonshme për betimin e Presidentit, apo edhe se aksioni i fundit rutinë kundër kanabisit.

Lulzim Basha ia doli ta shndërrojë rizgjedhjen në një procedurë private që i takon vetëm atij dhe nuk ka pse të përfshihet askush Brenda dhe jashtë PD. Më një kokëkrisje që do t’ia kishte zili edhe Edi Rama e përjashtoi opozitën nga zgjedhjet. 22 korriku do të jetë për PD, ashtu siç do të ishte 18 qershori për Shqipërinë. Nëse në 18 qershor do të përjashtoheshin me shumë se 500 mijë shqiptarë nga përfaqësimi, në 22 korrik janë përjashtuar tashmë të paktën 200 mijë demokratë.

Rama hoqi dorë nga aventura në momentin e fundit, e shtyu 18 qershorin me një javë dhe bëri të mundur pjesëmarrjen e opozitës. Basha nuk hoqi dorë nga aventura, e përjashtoi opozitën dhe bashkë me të mbështetësit e kundërshtarëve të tij në parti. Ata 200 mijë votues të PD që nuk dolën në 25 qershor se nuk e gjenin veten të përfaqësuar nga lista e Bashës, nuk do të kthehen më.

Lulzim Basha vendosi ta dëmtojë PD-në, ta bëjë më të vogël për ta privatizuar më lehtë, ta ndajë me klientët, jo me kundërshtarët. Në vend që t’u kërkonte faljeve 200 mijë të zhgënjyerve, i përjashtoi ata nga lista e votuesve, ua la atyre barrën e humbjes. Në vend të hapte rrugën me dorëheqje, e mbylli atë për të gjithë ata që nuk e besuan. Opozita kryesore tani është një grup interesi i një personi, që mund të marrë pushtetin vetëm po u përgjysmua kundërshtari.

Nuk janë përjashtuar vetëm kundërshtarët dhe mosbesuesit, por edhe të rinjtë, ata që besojnë se vota e përcakton fatin politik, merita e përcakton suksesin. Ai po jep shembullin e kundërt, po krijon modelin e humbësit që shpërblehet me një mandat të ri, e manovrës së paturpshme që e injoron institucionin e votës. Ashtu sic i përjashtoi kundërshtarët pa votë, po emëron dështakët në krye, me sigurinë se nuk do të mund ta konkurrojnë, deri kur fruti i kalbur i pushtetit t’i bjerë vet në prehër.

Eduard Selami, një nga figurat e moderuara të legjislaturës së fundit, mund të ishte alternativë e Bashës, por jo në PD, të paktën jo në këto kushte. Që nga largimi në 1995, Selami nuk arriti të gjente më gjuhën me strukturat dhe aktivistët e partisë së tij. Humbja në votimin për sekretar të përgjithshëm përballë një Arben Ristanit, të anëtarësuar rishtas në 2013, reflektoi një situatë që në këto 4 vjet nuk ka ndryshuar për mirë.

Mungesat në aksionet e forta të PD dhe kundërshtimet ndaj linjës zyrtare, mund ta kenë bërë atë më simpatik për publikun, por kanë patur efektin e kundërt tek anëtarësia. Jashtë PD mund të ishte një kandidat fitues, brenda PD-së, është kandidati i preferuar i Bashës, kandidati që sipas kundërshtarëve të përjashtuar, po legjitimon një farsë. Pikërisht ata që e akuzojnë, mund të bëhen mundësia e Selamit

Të dorëzuar dhe pa projekt, kundërshtarët e Bashës, mund të shohin tek Selami një mundësi. Ndoshta Selami, ashtu si Basha, e dëshiron largimin e tyre, por ndryshe nga ai, nuk do ta merrte këtë vendim natën, pa e hedhur në votim. Selami ka premtuar se do t’u japë institucioneve të partisë fuqinë e parashikuar në statut, që pavarësisht shijeve të kryetarit, do të jetë vota direkte apo indirekte e anëtarësisë që do të vendosë fatin e gjithkujt.

Pavarësisht divergjencave që kanë, pavarësisht se Selami nuk ka dhënë asnjë sinjal që e kërkon votën e tyre, opozita e Bashës, mund të gjente tek zgjedhja e sfidantit, një mundësi për të mos e çuar PD-në në çarjen e pashmangshme.

Në fushatën e vakët të PD, gjithsesi dallohen dy qëndrime që janë larg njëri-tjetrit. Kryetari i ngrirë që, edhe pse firmosi marrëveshjen dhe dha garanci për 25 qershorin, fajëson procesin. Sfidanti, që nuk po kërkon justifikim dhe i ka dhënë legjitimitet të plotë rezultatit të zgjedhjeve, ndërsa e kërkon fajin tek lideri i PD-së. Ai që e firmosi, po e shkel marrëveshjen e 18 majit.

Mori përsipër të organizonte zgjedhjet me Edi Ramën duke u futur në qeveri, u dha garanci shqiptarëve që vullneti i tyre nuk do tjetërsohet dhe firmosi angazhimin që do ta njihte rezultatin e zgjedhjeve dhe do të bashkohej me PS për të kërkuar hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Tani, për të rihapur derën e tij, po i mbyll derën Shqipërisë.

Që dera e Shqipërisë të hapet, duhet mbyllur dera e tij.

Veritas.com.al/