Nga Ardit Rada

Si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës dhe i bindur në pafajësinë e tij, Fredi Belerit do t’i kishte hije t’i drejtohej banorëve me një urim për 111-vjetorin e Pavarësisë. Mirëpo këtë 26 nëntor, ai ka zgjedhur të ushqejë sërish Athinën me një reagim nga qelia e burgut. Teksa kërkon të betohet, edhe pse Rama pranoi se po e toleron në shkelje të afateve dhe s’po e shkarkon, Beleri mundohet të vërë theksin në disa çështje teknike të arrestimit e hetimit. Peligrinazhi që i bëhet prej kohësh në burg nga priftërinj grekë e politikanë të ‘Demokracisë së Re’ duket se e ka frymëzuar, në mos diktuar, sesi mund t’i hidhet benzinë zjarrit për të armiqësuar më tej Athinën me Tiranën.

Kërkesa e Kyriako Mitsotakis, që qeveria shqiptare të marrë rolin e gjykatës dhe të lirojë një të paraburgosur pa vendim mbetet absurde jo vetëm për përmbajtjen, por edhe thelbin. Pra nga njëra anë Fredi Beleri e akuzon Ramën se po dirigjon drejtësinë për ta mbajtur atë në burg dhe nga ana tjetër i kërkojnë Ramës që të dirigjojë drejtësinë duke e lënë atë të lirë.

Fredi Beleri në rast të pafajësisë në formë të prerë pritet të zëvendësojë Jorgo Goron. Një tjetër minoritar ky, që në përballjen politike me kryebashkiakun në burg i kanë drejtuar gishtin njëri-tjetrit. Njëri duke akuzuar për vjedhje pronash, e tjetri për blerje zgjedhjesh. Normalisht për Greqinë nuk duhet të ndryshonte asgjë kur bëhet fjala për zëvendësimin e një minoritari me një tjetër. Në politikën shqiptare ka patur dhe vijon të ketë shumë emra të ardhur nga minoriteti: deputetë, ministra dhe zyrtarë të lartë që kurrë s’janë vizituar apo pritur nga figura të larta të politikës greke. Por për këtë të fundit mesa duket parapëlqehet Beleri që përveç pozave me flamurin e Vorio Epirit, është i gatshëm sipas drejtësisë që të sigurojë edhe fitoren me çdo kusht… Ndërsa Jorgo Goro është ndëshkuar nga Greqia duke nxjerrë në pah sesi është kompromentuar Athina në krijimin fals të minoritetit në Himarë dhe jo vetëm.

Më saktë ish-ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaroi vite më parë se Goros i është hequr nënshtetësia pasi vepron kundër interesave të Athinës. Mirëpo minoritar ose je, ose nuk je. Ajo që ndodhi me Goron tregon qartë se minoritar të bënkan qeveritë greke dhe jo prejardhja. Prej kësaj duhet të lindin edhe dyshimet e para sesi nga Beleri tek ’greku’ më i fundit i Himarës, janë bërë helenë gjatë këtyre 30 viteve.

Ndaj, i betuar apo jo, emri i Fredi Belerit do të diskutohet gjatë edhe kur të reshtë së shkruari letra publike sepse nëse të shkuarën e ka të diskutueshme, të tashmen e ka flagrante. Ai dhe Athina.