Shqiptarët duan më shumë autoritarizmin, sesa demokracinë. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një vrojtim i realizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sipas të cilit 31% e shqiptarëve preferojnë më shumë një sistem autoritar në krye të tyre që t’i drejtojë, sesa një sistem demokratik.

Konkretisht, vrojtimi i “Jeta në Tranzicion” mbi të gjitha ekonomitë në zhvillim, tregon se pjesa e shqiptarëve që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Europës Perëndimore. Madje, ajo është më e lartë edhe sesa mesatarja e ish-vendeve komuniste të ngjashme me Shqipërinë, në ato vende treguesi raportohet të jetë deri në 28%.

Sipas studimit, vetëm 50% e shqiptarëve preferojnë një sistem demokratik qeverisjeje, ndërsa pjesa tjetër shprehen neutralë.

Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë madje se mbështetja për demokracinë në Shqipëri është ulur ndjeshëm në 6 vitet e fundit, nga 57% që ishte në vitin 2010, në 50% aktualisht.

Veritas.com.al/