Nga: Veritas.com.al/
Kësaj here, jo të gjithë besuan se me “bekimin” e ambasadorit të Amerikës dhe ambasadoreshës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Reforma e Drejtësisë do të fillonte atë ditë, atë orë dhe në atë mënyrë që e premtuan. Më ka ardhur keq për naivitetin e disa mediave që nisën të numërojnë ditët: “Edhe dy ditë deri më datë 10 tetor,… edhe një ditë…, edhe katër orë!”. Kishin menduar se vërtet me datën 10 Tetor, siç ishte thënë, Reforma do të dilte rrugëve si një Pastërtore e pashoqe dhe do të merrte me fshesë të gjithë të korruptuarit, të gjithë abuzivët me pushtetin, të gjithë kriminelët…
Ka ndodhur gjë që nga ajo ditë?!
Ka ndodhur veç një gjë: Që as ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu dhe as ambasadoresh e BE, Vlahutin, nuk janë dukur më. Do të ishte data 10 Tetor, data e fillimit. Deri sot, që është 25 Tetor, do të kishim parë me sy mrekullira në pastrimin e “Polisit”.
Kësaj here jo të gjithë besuan; kjo është një gjë ë mirë në përparimin psikologjik qytetar. Shoqëria e qytetarëve tanë vjen nga një shoqëri me Zero skepticizëm, dhe me besim të verbër se ajo që thuhet “lart” këtu poshtë vjen si rrufeja. Kësaj here, përderisa nuk besuan, do të thotë që njerëzia as u kujtua se me datën 10 tetor ishte thënë “për Reformën!’. Njerëzit tanimë dinë t’i hedhin prapa krahëve atë që të tjerët e pushtetshëm ua hedhin në sy.
Ka ndodhur gjë që nga data 10 tetor e këndej?
Ka ndodhur që ndërkombëtaret “hynë në ujë”; edhe në qoftë se ndodhen diku nëpër zyrat apo ambasadat e tyre, nuk duken; ose u minimizuan. Ka ndodhur edhe që e keqja është shtuar. Që nga dita e Reformës, agjendës së krimit i është shtuar edhe një zë tjetër: Droga nuk ishte parashikuar në draftin e Reformës që bëri xhiron e Globit. Tani sinjale nga “The Voice of America”, (dmth., Shtetet e Bashkuara), nga Italia, Gjermania, etj., po i thonë botës së Shqipëria është një vend i rrezikshëm për prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Ose prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nuk qenka më krim për Botën njerëzore… Kjo është e pamundur.
Tjetër gjë nuk ndodhi?… Po, ndodhi që korrupsioni u rrit më shumë. Ndodhi që gjykatësit u frikësuan dhe duke mbledhur “leckat” nga frika e reformës, nuk po iu shikon më syri e po grabisin sa të mundin. Ka ndodhur që qeveria po zgjedh me gisht gjykatësit e vet, dhe, nesër nuk do të ketë më as fjalën “drejtësi”.
Këto kanë ndodhur që ditën kur u tha se “zonja Reformë po vjen e pastron Shqipërinë njerëzore!”.
Por të paktën, kësaj here jo të gjithë njerëzit besuan se “edhe pak, po vjen Komunizmi- parajsë!”.
Pak më shumë se këtu kishin besuar shqiptarët Kosovës. Edhe ata luftuan gati një vit për të ngritur Gjykatën Speciale, nën kujdesin e amerikanëve. Aq “qiellore” u paraqit Gjykata që do të dënonte krimet e zyrtarëve shqiptarë të Kosovës, saqë ishte projektuar që Gjykata ta kishte selinë në Hagë. Domethënë, lqr qiellit të Kosovës, atje ku asnjë infeksion i shtetit të ri të dalë nga Lufta e fundit, nuk do të mund ta prekte.
Gjykata Speciale është ngritur, madje ka më shumë se një vit. Edhe prokurori u emërua, një amerikan me grada profesionale. Po çfarë ka ndodhur që atë ditë?
Po, edhe aty ka ndodhur një gjë, sipas medias kosovare. Aty kanë nisur të eliminojnë fizikisht dëshmitarët e mundshëm në Gjyqin Special kundër zyrtarëve që vijnë nga krimi. Janë eliminuar disa nga dëshmitarët, emër për emër, këto kohët e fundit. Në faqen e parë të gazetës “Bota sot”, pashë foton e katër shtetarëve më të rëndësishëm të Kosovës: Thaçi, Zeneli, Haliti dhe Syla. Këta i tregojnë si autorë të krimeve, por në fakt këta përbëjnë kupolën e shtetit sot.
Gjykata Speciale ndodhet në qiell, por as në qiellin e Kosovës nuk është. Ndërkombëtarët nuk janë dukur më.