Nga: Astrit Patozi/
Meqë jemi ende në ditët e entusiazmit, që ka shërthyer anembanë Shqipërisë, për zgjedhjet në Kosovë. Në fakt, jemi vite dritë larg tyre dhe nuk ka asnjë shenjë se Kosova mund të na shërbejë si shembull më 25 prill, edhe pse modelin e kemi kaq të afërt në të gjitha kuptimet.
Sepse ka kaluar si pa u vënë re, por këta mjeshtrat tanë të trafikimit dhe vjedhjes së votës, nuk po qëndrojnë duarkryq që asgjë të mos ndryshojë për mirë në Shqipëri edhe në këto zgjedhje. Vetë e kishin caktuar në marrëveshjen e famshme të 5 qershorit, madje e kishin shkruar edhe në Kod, që votimi dhe numurimi elektronik do të aplikohej deri në 20 përqind të territorit. Dhe po vetë e kanë vendosur këto ditë me një akt qesharak që kjo lloj teknologjie të zbatohet vetëm në 50 qendra të qarkut të Tiranës, që do të thotë se e kanë katandisur kaposhin në një thellë.
Mjafton kaq për të kuptuar se janë të tre në një linjë që gjithçka të mbetet si më parë.
Janë të njëjtët personazhe që dje po shtyheshin me njëri-tjetrin për të uruar fitoren e Albin Kurtit, a thua se atë do ta përdornin si hajmali për vete në zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë, që ne dimë të gjithë njësoj se kjo përralla e votimit dhe numurimit elektronik ka gati 15 vjet që tregohet nga anët tona, por gjithmonë shtyhet për më vonë, sepse asnjëherë nuk gjendet kohë.
Dhe kjo ka vetëm një shpjegim. Ngaqë e vetmja shpresë që ata kanë për ta ruajtur të paprekur sistemin e mbyllur dhe të korruptuar politik në Shqipëri është që numuruesit dhe komisionerët e tyre t’i kenë duart brenda kutive të votimit.
Ndaj mos prisni hajër prej tyre, e aq më tepër që të frymëzohen nga Kosova, e cila vetëm dy orë pas votimit kishte gati, jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve, por edhe deklaratat e qarta të garuesve kryesorë, që pranonin humbjen.
VERITAS.COM.AL