Frrok Çupi/

Kthehemi sa herë kemi humbur shpirtin dhe kërkojmë të marrim me vete shpirtin e atyre që kemi lënë atje…

A nuk keni ndjerë se sa herë u helmohet jeta prej vetes, jo prej tjetërkujt, iu marrin këmbët për nga Varrezat?! Me siguri, nuk ka asnjë krijesë njerëzore adulte që nuk e ka provuar këtë ndjesi. Është sa e dobët, sa e brishtë, sa e dobishme…, aq sa të bën të mendosh se ‘që atë ditë ti nuk do të jesh ai që ishe”…

Por kur liderët e politikës dhe të shtetit provojnë këtë  ndjesi, atëherë është shumë-fish mirë; dhe ndërkohë është e keqja e fundit. Liderët e politikës në demokraci janë ndërtuar për të mos e gjetur prehjen në varreza, por në ligje. Sigurisht, kthimi në varreza i dëshmon si ‘njerëz të mirë’, por edhe si hipokritë e të pandreqshëm. Këta që e bëjnë veten për të qarë në Varreza, këta që atë ditë duhet të largohen nga froni i politikës dhe të rrinë në shtëpinë e tyre si ‘njerëz të mirë’…

Brenda 24 orëve i kemi ‘kapur’ liderët tanë, njëri pas tjetrit, që janë kthyer në ‘Varreza’. Në forma të ndryshme, por për në varreza:

Forma e parë:

Kryetari i PD, Lulzim Basha, që po të ishte në rrugë normale, nesër do të ishte kryeministër- që në mëngjes herët u nis sot e shkoi në Shkodër ku ishin përmbytur toka, shtëpi e njerëz. Aty e bëri fytyrën si të dhimbshme dhe të trishtuar; por dukej se diku tjetër e kishte mendjen. Dje dhe mbrëmë deri në mesnatë, Basha përpiqej t’u tregonte njerëzve këtu, dhe amerikanëve të Trump në Amerikë, se “betohem në kokë të mamit, nuk kam gisht në vjedhje, as në lobingje, as në Rusi”. Një skandal i madh që ka shpërthyer në mediat Amerikane ka përfshirë PD e Shqipërisë dhe vetë kryetarin Basha në disa afera të pista me para dhe lobingje- sipas mediave. Basha nuk është i sigurt se FBI dhe Prokuroria e Përgjithshme këtu nuk do ta thërrasin në hetime… Sot që në mëngjes u nis e shkoi në zonat e rrënuara, që për të dukej si Vakëf. I kërkonte qeliza që të falej…

Forma e dytë:

Kryeministri i Republikës, Edi Rama, që në mëngjes sot, u zgjua përmes një gëzimi të përzierë me ankth. I gëzuar pse ‘e kapi’ opozitarin Basha në krim me dallaveret në Amerikë për të blerë ‘me paratë e shqiptarëve’ një foto me presidentin Trump. Ai e di se po e çoi lajmin në vesh të Trump, presidenti nuk ia fal kurrë këtij opozitarit këtu… Ndërsa ankthi iu mblodh në grykë kur kujtoi çfarë kishte bërë vetë për një foto me ish- presidentin Obama;  kishte bërë një pisllëk me para ilegale dhe me një fakir shqiptar të New Jersey që e futi në telashe gjyqësie… Kjo ishte ‘varreza’ ku u drejtua Edi Rama që në mëngjes. Aty iu duk se do të lante shpirtin.

Forma e tretë:

Të gjithë këta që katranosin shpirtin, këmbët i çojnë te ‘varreza’ e njerëzve më të afërt dhe më të dobët. Politikanët, si për të treguar nivel, iu thonë ‘vulnerable’. Por ama iu drejtohen atyre që mund tua venë kokën në gjoks. Zoti Basha u ‘preh’ te kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, pranë brigjeve me ujë, tek qanin halle përmbytjeje. Në fakt Basha s’e kishte mendjen te përmbytjet, por te Voltana- një grua e frustruar nga kryeministri dhe e gatshme që t’i thotë Bashës: “Mirë e ke, zoti kryeministër”. Ajo nuk është e zonja të bëjë më shumë, veç rolin e motrës. Edhe Basha tani kërkon ‘motra’. Në Partinë Demokratike i ka shkokoleps punët aq keq, saqë tani PD është një ‘lesh arapi’. Ata që e kanë krijuar PD-në nuk e duan, votuesit nuk e duan, populli e përqesh… Atëherë i ka mbetur që t’u drejtohet vetëm njerëzve të dobët që ‘i mbajnë dorën në ballë”. Në këtë lloj ‘varreze’ prehet  njeriu që i ka bërë punët si mos më keq.

Forma e katërt:

Edhe kjo ngjan me të tretën, veçse me një dallim: Aq sa Voltana nuk e ka në dorë Lulin, po kaq Saimir Tahiri e ka në dorë Edi Ramën. Rama iu drejtua sot në mëngjes vetë Saimir Tahirit- ministrit ‘legjendë’ për nga krimi i trafikimit. Mediat publikuan lajme se ishin takuar të dy në Spitalin Amerikan, nga ora 09.30 deri 09.40. Është tamam si takim në ‘varreza’. Jo vetëm pse Rama i shkon mikut të ngushtë tashmë ‘të vdekur’ politikisht, por edhe në një spital ku njerëzit shkojnë edhe me frikën e  vdekjes. Sipas  vëzhguesve vetë Tahiri i ka shpirtin në dorë Ramës… Aq më tepër që në mes është krimi shtetëror i kultivimit dhe trafikimit të drogës. Bota e qytetëruar është shumë e shqetësuar me modelin e Shqipërisë si ‘Kolumbi’ mu në mes të Europës… Ky mund të jetë edhe vetë ‘varri’ i qeverisë shqiptare…

Por këta kthehen në Varreza në vend që të mprehin shpirtin në shtëpi…

VERITAS.COM.AL/