Nga Ardit Rada

Dilema nëse Albin Kurti e ka vullnetin për t’i sheshuar tensionet që burojnë nga Veriu i Kosovës sa vjen dhe thellohet. Pas refuzimeve të thirrjeve të BE dhe SHBA tashmë të ditura, pasi nuk e priti Edi Ramën në Prishtinë, sot nuk ka pranuar as të vijë në Tiranë. Takimi informal që mbahet në kryeqytet sot do të ishte një mundësi e mirë për Kurtin që të shtrëngonte duart me liderët e rajonit, takime këto që dukeshin tepër të largëta për një kryeministër që është vetëizoluar dhe po tërheq edhe gjithë vendin pas vetes. Mirëpo këtë mundësi Kurti e ka refuzuar sërish me pretendimin se ka “prenotuar” diku tjetër.

Mes kostumit në takimin e Tiranës dhe pantallonave të shkurtra në seminarin e Kretës, kryeministri i Kosovës ka zgjedhur këto të fundit. Më saktë, ai ka refuzuar ftesën për të qenë sot në kryeqytetin e shqiptarëve me pretendimin se do të marrë pjesë në një konferencë në Greqi.

Për ta qartësuar atë çfarë mungon në reagimin e Qeverisë së Kosovës: Albin Kurti merr pjesë sot në Kretë në një takim të organizuar nga Fondacioni “Andreas Papandreu”. Në njoftimin e këtij të fundit sqarohet edhe thelbi: Seminar për Sindromën Ikarus. Vetë Papandreu sqaron se pjesëmarrësit në trajnim do të flasin për pasojat e Covid-19 dhe luftën në Ukrianë. Ndërkohë që alternativa tjetër është: Takim në Tiranë me fqinjët dhe me komisionerin Varhelyi.

Nuk dihet se për çfarë i shërben vetë shtetit të Kosovës “Symi Symposium” i Papandreut që i paguan Albin Kurtit trajnimin në fjalë. Për të njëjtin event, një vit më parë ai është akuzuar nga opozita e Kosovës se ka shpenzuar 45 ditë vizite në Greqi pa asnjë arsye dhe pa asnjë përfitim shtetëror.

Por ndoshta Kurti s’e ka bërë dot shkëputjen si aktivist i shoqërisë civile dhe preferon ende seminaret. Dhe kjo do të shpjegonte shumë në sjelljen e tij si shtetar.