Frrok Çupi/
Një ditë Lulzim Basha do të dalë mbi ujëra, por vetëm atëherë kur ‘deti’ të jetë tharë.
Vetë Basha, që siç ka lënë të nënkuptohet, u asfiksua nga ujërat ‘e pista’ që gjeti në PD, tani po punon pak nga pak që të thajë ‘moçalin’. Moçali i PD janë udhëheqësit e rinj, të cilët janë mbledhur nën ‘diktatin e Berishës’, që ishte kryetar jetë- gjatë i Partisë Demokratike!, të paktën kështu është lënë për të nënkuptuar gjatë viteve të fundit kur PD po shkon keq e më keq.
Kryetari i ri, i selektuar nga vetë Berisha, ka pranuar që gjatë gjithë këtyre kohëve ka tentuar (por pa sukses) që të ndryshojë lidershipin e PD. Pas vrasjes së Sokol Olldashit- njëri nga kandidatët për kryetar, Basha u ndje i lirë për të bërë gjithçka. Sigurisht që ky ishte një iluzion i ‘rioshit’, siç ndodh gjithnjë në adoleshencë. Të vetmen herë kur Basha tentoi të zgjojë ‘pleshtat’ e PD që ishin zënë që në kohën e liderit Berisha, ishte momenti kur hoqi nga Partia liderët që bënin hije me hijen e marrë nga lideri historik. Zhduku Jozefina Topallin që mbante shpatën e Skënderbeut në mbrojtje të trashëgimisë së Berishës; zhduku Arben Imamin- armikun ‘hudhër’ të Berishës; zhduku ministrat me të cilët Berisha kishte ndërtuar skemat piramidale në vitin 1996 si dhe kryesuesit e Organizatës së dyshimtë financiare ‘Shqiponja’…
Basha, sapo bëri aktet, priti në tribunë që të merrte duartrokitjet e publikut; por kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi as që liderët ‘legjendarë’ të PD të shtrëngonin radhët dhe t’i suleshin Bashës e t’i merrnin partinë. Këtu nuk ishte Basha- bedenë e kështjellës, por vetë Basha u mbrojt nga ‘sulltani’ Berisha. Ish kryetari Sali Berisha, një aritmetiken shumë i dobët, por që di të bëjë perfekt matematikën politike. Ai e zgjidhi kështu: ‘më mirë të mbajë për vete një Bashë të qullët, se sa të rimarrë ministrat që ua dinte ku i kishin fshehur paratë’. Me një lëvizje të ‘atit’ Basha siguroi ‘kështjellën Berisha’ në PD.
Por megjithatë, edhe sikur një zog rose të ishte Basha, tashmë do t’i ishte zënë fryma nënë këto ‘ujëra të pista’. Kur kuptoi se dy liderë të tjerë, Meta dhe Berisha, po e përdornin si ‘Pal Mëlyshin’- një hero komunist i Sigurimit të Shtetit, që do të bënte ‘sikur’ ishte armik por do të merrte pushtet për të tjerët, atëherë Basha u zgjua- me sa duket. E kishin shtyrë që të hynte në zjarrin e luftës me bomba molotov dhe me vullnetarë nga Irani për të djegur Parlamentin, qeverinë, sheshin, udhëkryqet, etj. Basha ishte gjithnjë i vetëm në krye të turmave të dhunshme, krahas Monikës që e kishte bërë ‘lanet’ i shoqi president. Me aktet terroriste Lul Basha po udhëhiqte legjionet që do të afronin një luftë civile si në vitin 1997 dhe do të shporrte përgjithmonë Amerikën nga influencat mbi këtë vend. Por njëkohësisht do të dërgonte në ferr veten me familjen. Derisa një ditë, nga Shtetet e Bashkuara mori mesazhin: ‘Luli, nëse ka dhunë në 8 korrik, mbi tarracën e selisë së PD do të jetë duke të pritur një helikopter, askush nuk e di ku do të shkosh’.
Lul Basha e kuptoi se po e mbyste llumi që kishte mbledhur vetë bashkë me shokët; dhe prandaj u betua para Zotit të tij- gruas dhe vjehrrit se ‘nuk do ta marrin më për hundësh’. Lul Basha i ka hyrë notit për të dalë nga moçalet e pista, por kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të thahen ujërat. Stili që ka zgjedhur sot për sot është ‘not qeni’, në kuptimin që do të kafshojë secilin nga rreth 500 anëtarë të lidershipit që ka grumbulluar- si të ishte parti kineze.
Mënyra e parë e sulmit është përdorimi i kamxhikut të ligjit kundër ‘sovjetikëve’ budallenj që ka në lidership. Këta janë treguar të gatshëm që të shkojnë në ferr duke kënduar ‘për Partinë’. Sot, teksa dënohej shoku i tij Salijanji, lëshonte thirrje bolshevike se ‘ju nuk ia mbyllni dot gojën trimit’. Në këtë mënyrë karikonte Salijanjin dhe ndërkohë iu bënte thirrje të tjerëve që e kanë radhën për në burg. Vetëm sot Lul Basha dërgoi në burg tre shokë: Babalen, Salijanjin dhe gazetarin spiun. Pas këtyre e kanë radhën të tjerët; që nga Bardhi, Ristani, Balliu, Shehu e deri te Grida. Ai i puth të gjithë ‘para litarit’, pa e çarë kokën se Salijanji e ka fytyrën të yndyrshme apo se Grida i bën poçe si më e lexuar se Luli pa shkollë. Misioni i tij është t’i dërgojë në ferr. Prokuroria është e mbushur me ‘dosje menshevikësh’ nga radhët e PD. Ditën e Enjte Luli ka edhe një provë tjetër personale në prokurori: Akuzën për financime ruse në një lobing amerikan!
Nëse do të mund të shesë shokët për të shpëtuar nga akuzat kriminale, atëherë ne qytetarët duhet të na zërë frika se çfarë po ndodh. Por nëse Lul Basha po hap rrugën për vete që të dalë mbi ujë duke tharë ‘moçalin’, atëherë kjo ka një shpresë edhe për PD, edhe pse mund të jetë PD tjetër.
VERITAS.COM.AL/