Frrok Çupi/
Gjithë kjo heshtje!… Nuk ka lajme, as në mediat online, as nëpër bare. Edhe pse ishte ditë Parlamenti, nuk paska lajme. Përditë gumëzhinin të gjithë. Kishte apo nuk kishte ngjarje, lajme kishte. Gazetaria surrogate me Luftën ka huazuar një zakon të Anti-nazizmit të viteve ‘40. Ata thonin “nëse s’keni armë gjeni/ia rrëmbeni atij qeni”. Tani lajmin ia rrëmbejnë “atij bossi”, dhe e shpikin ngjarjen sikur ka ndodhur. Gumëzhinte përditë, të paktën. Po tani?
Po tani pse nuk ka lajme nga Shqipëria, edhe pse janë ditë tmerri nga vërshimi i ujit. Mbrëmë u ktheva nga Shkodra; fushat në anë të rrugës nuk dallohen nga Buna, nga Mati, nga përroi…. kudo ujë. Një autobuz i gjatë sa autobuzët “Shkodra” kishte rënë shtrirë në anë të rrugës dhe rënkonte akoma si balenë. A ka pasur njerëz? A ka pasur të paktën shofer?… Por asnjë lajm në media. Kushedi sa “balena” metalike ose mishtore janë shtrirë të vdekura ose të mbetura gjallë kot,… por asnjë lajm. I vetmi lajm që lidhej me fatkeqësinë kombëtare të përmbytjeve dhe rrezikut se po vdesin njerëz në mot të keq, ishte lajmi se u mblodh Shtabi i Emergjencave. Por edhe ky lajm merrej jo me emergjencën, por si kryeministri shau shefin e shtabit të Ushtrisë.
As nga Parlamenti s’ka lajm, megjithëse ditë Parlamenti. Dy lajme si fshehtas nxorën kokën në nja dy site, edhe këta që lidhen me Amerikën e Trampit. Njëri ku ish- kryeministri i sulet ministrit të jashtëm, një djalë politbyroje, i përfolur sikur ka lindur keqas, i cili është mërzitur pse ka fituar Trampi. Tjetri lajm- nga kryetari i partisë “Libra” që i kërkon Parlamentit të hetojë pse kryeministri bëri zhurmuesin për të prishur zgjedhjet në Amerikë.
Asnjë lajm tjetër nga vendi. Po pse nuk ka lajme nga vendi?
Përgjigja është shumë e thjeshtë dhe e shkurtër: Sepse në Amerikë ka fituar Trampi- ja ky është shkaku. Fitorja ishte sizmike, këta as e prisnin. Atëherë përgjigja e parë është ” prit sa të marrim frymë, ishte tërmet”. Për gjithë klasën e prapambetur komuniste, fitorja e Trump ishte si vetëtima që nuk e prisnin. Ne qeverisim nga ata të lashtët komunistë. Këta prisnin edhe katër vjet Hilary socialiste, që i thonë 12 vjet socialistë në Amerikë. Pastaj edhe katër vjet Michelle Obama, që bëheshin 16. Atëherë harroje të djathtën konservatore në Amerikë. Që do të thotë mbretërim i kënetës socialiste në Shqipëri.
Kjo është arsyeja e parë pse këta nuk po bëjnë lajm.
Arsyeja tjetër është se kryetari i këtyre “rilindësve” ka bërë budallallëkun e përditshëm që i është sulur Trampit kur bënte fushatën e tij presidenciale. I ka tundur gishtin para syve dhe i ka thënë: “Ej, mos guxo të zgjidhesh president!”. Dhe Amerikës i ka thënë: “Ej, mos guxo ta zgjedhësh Trampin!”. Mirëpo Amerika i doli nga kontrolli këtij aventurierit të Shqipërisë, dhe ky bllokoi lajmin tani. Sepse këtu edhe lajmi varet nga regjimi.
Një arsye e tretë pse nuk ka lajm nga Shqipëria lidhet me fundin e gotës”. Stuhia në fund të gotës vjen në fund të fundit. Këtu nuk ndjehet asgjë. Ndërsa Europa ka nisur të tundet nga ajo që ndodhi në Amerikë, këtu kushedi kur do të ndjehet. Mund të ndjehet kur këta do të jenë duke fjetur, dhe përsëri të mos ketë lajm. Në Europë janë tundur të gjithë politikanët. I ka zënë paniku se edhe aty do të mbërrijë efekti i stuhisë Trump. Trump nuk bëri asgjë tjetër, veçse gjeti masat popullore në neveri ndaj elitave politike dhe fshiu të korruptuarit. Po pse, vallë, në Europë nuk do të ndodhë kështu? E pamundur të mos ndodhë. Njeriu është i lodhur nga këta… Sot politika gjermane dha alarm, pa mendo për të tjerët; nesër Franca, Italia, Belgjika, Anglia….
Ndërsa këtu ku është fundi i gotës, këta flenë rehat. Si në fundin e gotës, pa lajm.
/Veritas.com.al/