Frrok Çupi

E di pse nuk më lë të qetë lufta që po bëjnë këta kundër paqes së vendit?

Jo se janë shumë dhe na prishën punë! Më shumë më intereson për shkak të një vështrimi mbi ta, si njëfarë studimi mbi fosilet pas tre dekadash.

Është  ngritur sot Agim Nesho dhe ka bërë thirrje për vrasjen e Edi Ramës.

“Ose duhet të marrim malet për shkak të Ramës, ose duhet të dalë dikush të marrë përsipër burgun”. Ky duket si fjalor ‘trimash’, por në fakt është fjalor lacash. Se po të ishte nga ata ‘ trimat” si burri i tezes, Hysni Kapo, atëherë nuk do të pyeste por do të merrte përsipër burgun.

Burri i tezes ishte njeriu i bllokut, madje më i rëndësishmi derisa Enveri e kuptoi se po komplotonte kundër tij bashkë me jugosllavët. Edhe babai ishte sekretar i parë i Partisë s Vlorës e ku-di-unë. Njeri që nuk dinte asnjë fjalë, por ‘shumë i mençëm’.

Në ushtrinë e tij Agimi ka edhe një djalë të vajzës sw tezes, edhe ai rritur në duar të Enverit. Edhe analistë e ‘ të mençëm’ të tjerë rreshtohen përnatë e thërrasin për luftë.

Kjo të bën përshtypje:

Ndërsa në botën tjetër ish- diktaturë, dikta-vecët kanë heshtur ose nuk u është ndierë zëri kurrë. Çfarë ndodh me këta këtu? Në vend që të kërkojë djegien e vendit ndonjë ekstremist i dënuar në Spaç, e kërkojnë këta ‘ të dënuarit për në bllok’.

Pse?

Disa thonë se u lodhën dhe u ka lindur dëshira prapë për kthim në bllok. Jo. Kjo është e pamundur. Edhe pse të rritur si ‘bythëpambukë’, këta nuk janë aq të marrë sa ta mendojnë kthimin.

Po atëherë, pse?

Ka lidhje me ekzistencën e bllokut, por si? E kanë me vete dhe me bllokun njëherësh. Kthim në momentin kur u ca blloku. Në një shkrim në RD ‘ Pse nuk çahet blloku?’, kisha shkruar pikërisht këtë: Blloku nuk çahet sa kohë këta kanë shtrirë tentakula mes tyre. Ndërsa N. Ceka ndaloi tanket që të hynin në bllok, e mirë bëri. Po si e lexojnë sot këta?

Këta sot e lexojnë si hakmarrje. Hakmarrje si? Që nga momenti kur populli çau bllokun, këta u ndien të persekutuar. Blloku në mendjen e tyre u kthye në kamp përqendrimi. Kështu u ndien deri vonë, prandaj u duhej të heshtnin; dhe heshtën. Sali Berisha, si demokrat, por mik i familjes Kapo, sulmoi me fjalë, që u duk se po u bënte dhunë. Dhunë kishte bërë blloku, dhunë Saliu. Këtu bashkohen dhe gjejnë aleancë.

Tani do të fitojnë kohën e humbur ‘në heshtje’. Tani do të shpërthejnë në dhunë. I vetmi kryeministër i Shqipërisë që do të vritet prej klanit Kapo do të jetë Edi Rama.

Po pse pikërisht në këto momente? Sepse Shqipëria është ngjitur në nivele ku ata dhe lloji i tyre, e kanë luftuar për vdekje. Ku donin ata Perëndim, Qytetërim, Europë?!…

Çfarë i afroi armiqtë me njëri tjetrin, dmth., Berishët nga Shkëlzeni me Kapot nga Tërbaçi? Asgjë tjetër, veç dhunës. Këta e fshehin fjalën dhunë, ashtu siç edhe diktatura e kishte fshehur. Edhe këta, edhe blloku, dhunën  e quanin “Revolucion”, dhe të gjithë çmendeshin me këtë fjalë europianiste. Tani berishistët kanë rekrutuar edhe vetë sadistët e burgjeve nga radhët e bllokut dhe i kanë nderuar me tituj të lartë.

Në revolucion do të marrim pjesë të gjithë, thotë Nesho me të tijtë. Sepse menjëherë, nga revolucioni, në gjithë historinë e botës, kalohet te dhuna.

Dhuna bashkon, dhuna ndan; tani është kohë bashkimi mes tyre. Kështu ka ndodhur që në rrënjë të historisë njerëzore, Kaini theri Abelin dhe Remi theri Romulin. Vëllezërit në bllok, pavarësisht se janë në gjini apo jo vëllezër, janë herë vrasës kundër njëri tjetrit e herë bashkë si vrasës të vendit të tyre.

Lidhjet luftë- revolucion dhe anasjelltas, i mbajnë shtrënguar.

Këta në këto momente kanë vetëbesim se ‘do t’ia arrijnë’. Në fund të fundit do të bëjnë atë që kanë bërë edhe një herë më parë: Luftë civile. Këta e bënë luftën civile në vitin 1997. Jam mahnitur në atë luftë se si u zgjuan menjëherë pinjollët e bllokut dhe morën pozita në organizatat e luftës. I thërriste instinkti. Luftën civile bllokistët, inkludë Berishën, e ngrefën me qëllim që ta kthenin në revolucion. Ndryshe ç’u duhej? Aq sa mijëra vranë në atë luftë mund t’i vrisnin edhe mes njëri tjetrit ose nga SHIK-u. Por revolucioni u ngeli në mes edhe pse u vra ‘ lideri i Revolucionit’ Hajdari. Azemit ia kërkuan revolucionin edhe pas vdekjes duke ia përdorur arkivolin si çekiç mbi selinë e pushtetit, por nuk u bë gjë.

As tani nuk bëjnë dot as revolucion asgjë. Por thonë ‘haj ta nisim me vrasjen e shekujve’  nga dora atentatore e Kapove.

 

 

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *