Koment/

Gjatë gjithë ditës sot, presidenti Ilir Meta (edhe përmes zëdhënësit), para imazhit të të tjerëve është shfaqur si një ‘zot shtëpie’ që ka dalë te dera dhe bën ‘duanë’ e cilitdo. Ilir Meta nuk ka më as minimumin e fuqisë të thotë ‘Jo’.

Sot, sapo mori vesh se kryeministri Rama do të bëjë ndryshime në qeveri, domethënë  do të rikompozohet qeveria duke shtuar edhe një ministër, ai lëshoi lajmin: ‘Po e pres ministrin e ri, menjëherë, pa humbujr asnjë sekondë dhe t’i jap vulën e pranimit’.

Të njëjtën gjë bëri edhe me lajmin se 8 prokurorë të zgjedhur për SPAK do të paraqiten për të bërë betimin te Presidenti. Meta tha menjëherë: ‘Po, patjetër, i mirëpres në ora 9.30 dhe u jap me vete bekimin’. Vetë Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës, transmetuan njëfarë shqetësimi se ‘meta nuk do të pranojë betimin’ e prokurorëve. Edhe maxhoranca parlamentare kishte të njëjtën droje, gjë që e shprehu duke paraqitur ndryshime në aftësitë e presidentit me qëllim që ai të mos ketë mundësi të neutralizojë Republikën.

Frika se Ilir Meta ‘kafshon’ keqas, tashmë ka rënë. Jo se ndryshoi, por se nuk mundet.

Deri më sot, me bunkerizimin e rolit të Presidentit, ai ka bërë disa dëme dhe ka shkaktuar disa pengesa të pariparueshme në funksionimin e shtetit të të Drejtës:

Nuk ka pranuar dekretimin e Ministrit të Brendshëm, as dekretimin e ministrit të Jashtëm.

Ka tentuar të pengojë popullin që të votojë në ditën e dekretuar, 30 qershor, duke krijuar edhe shanset për një konflikt të dhunshëm mes palëve.

KA mbajtur haptazi anën e opozitës, duke përkrahur protestat e dhunshme, aktet jo- ligjore të zënies së pronës së tjetrit nga grupimi i banorëve të ‘Astir’e tj

Më në fund nuk pranoi dekretimin e një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, duke e kthyer procesin në pikën e fillimit dhe duke  e vonuar pa të drejtë.

Ilir Meta është shfaqur gjithë kohës si një sfidant i Reformës në Drejtësi dhe i influencave të Shteteve të Bashkuara dhe BE në këtë proces…

Shumë nervoz, shumë luftarak, i nxehur pa fund, fyes e denigrues ndaj qeverisë dhe kundërshtarëve, i pashoq në veprime që nuk i shkojnë asnjë pozicioni publik e shtetëror…

Po atëherë, si vallë u zbut presidenti Meta?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: Meta e di veten si një ‘politikan pragmatist’, por duke harruar se tashmë është vonë që të ‘kthejë faqen tjetër’ për të shpëtuar të tërën. Meta ndodhet në prag të shkarkimit si president nga Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese që do të ngrihet shpejt. Gjithashtu ai është shfaqur edhe si një njeri inferior dhe i frikësuar ndaj Shteteve të Bashkuara dhe SPAK, por duke pasur shpresë se edhe kësaj here do t’ia hedhë ‘duke sulmuar si brenda edhe jashtë’.  Ilir Meta është konstatuar si një nga zyrtarët më të korruptuar në vend dhe në rajon. SPAK do të nisë të funksionojë në 19 dhjetor- do apo nuk do presidenti. Kështu paralajmëroi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Prandaj Ilir Meta i ka lëshuar armët e ‘bunkerit’ duke shpresuar se si ‘i penduar’ do të përfitojë ulje dënimi.

VERITAS.COM.AL/