Presidenti i Republikës, Ilir Meta ende nuk është shprehur me dekret në lidhje me propozimin e kryeministrit Rama për ministrin e ri të Ministrisë së Brendshme, zotin Sandër Lleshi.

Arsyeja e heshtjes së Metës ka në fakt një argument që ka të bëjë me një ngërç juridik.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ministër mund të zgjidhet çdo person që mban titullin e deputetit si dhe çdo person i cili nuk ushtron ndonjë veprimtari tjetër shtetërore apo edhe veprimtari që ka të bëjë me organet e shoqërisë civile.

Ngërçi që e ka mbajtur deri më tani të heshtur Presidentin gjendet pikërisht në këtë nen të Kushtetutës, pasi ende nuk dihet nëse Sandër Lleshi mban akoma ndonjë post në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Për këtë çështje Presidenti ka dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes një kërkesë zyrtare për të marrë informacion nëse Lleshi mban ndonjë post shtetëror apo jo.

Me ardhjen e përgjigjes, Presidenti do të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës duke u shprehur mbi dekretimin e Ministrit të Brendshëm, i propozuar nga kryeministri.

Të shtunën e kaluar kryeministri Rama dha lajmin se pranonte dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrisë së Brendshme; dhe njëkohësisht propozoi emrin e Sandër Lleshit si Ministrin e ri. Po atë ditë Meta dekretoi largimin e Xhafajt, por jo emërimin e Lleshit në njërin ndër postet më të rëndësishme të vendit. Sipas ligjit, Presidenti i vendit ka kohë 7 ditë për të shprehur vullnetin e tij, sipas Kushteutës.

Veritas.com.al/