Kjo ka qenë një javë e përgjakshme nga aksidentet rrugore. Për 4 ditë janë shënuar 8 viktima.
Në Tiranë, te kryqëzimi i arkivës, një kamion ka përplasur një person me biçikletë. Kampioni e zuri poshtë 62-vjeçarin, duke i dëmtuar këmbët. Ky i fundit më pas ka ndërruar jetë në spital.
Në 17 maj, një aksident i rëndë ka ndodhur te Sulejman Delvina. Viktima, i identifikuar si Redi Karreci, humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga, ndërsa për pasojë ka ndërruar jetë në vend 33-vjeçari. Përplasja e rëndë ndodhi në fillim të rrugës “Sulejman Delvina”, shumë pranë shkollës “Vasil Shanto” rreth orës 01:30. 33-vjeçari po qarkullonte jashtë orës policore, ndërsa policia dyshon se ishte me shpejtësi tej normave të lejuara kur ka humbur drejtimin e automjetit.
Shpejtësia ka përgjakur rrugët dje edhe në Shkoder. Dy të rinj kanë humbur jetën. Serxho Kuka, 22 vjeç dhe Eglis Delaj, i cili kishte bërë 20 vjeç vetëm një ditë më parë, humbën jetën në aksidentin tragjik që u regjistrua në rrugën e fshatit Omaraj në Malësi të Madhe.
Gjatë natës së kaluar ka ndërruar jetë nje 70 vjecar, aksidenti fatal u regjistrua rreth orës 23:00, në rrugën e “Rinasit”. Më tragjik bilanci është bërë me viktimat e aksidentit të ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në aksin Milot Mamurras, ku humbën jetën 3 persona pasi makina ka çarë bordurën dhe ka rënë në kanalin me ujë.