Sot, e enjte, qytetarët kanë pritur që të ndjekin mbledhjen në seancë plenare të anëtarëve të Kuvendit, por nuk ka ndodhur. Salla e mbledhjeve është fotografuar e boshatisur.
As këtë të enjte, dhe asnjë të enjte tjetër, nuk do të ketë më mbledhje plenare. Kuvendi ka miratuar një Rregullore të re, ku bazohet edhe gjithë ky ‘boshllëk’ Kuvendor.
Rregullorja e re e organizimit dhe funksionimit të Parlamentit i detyron deputetët që t’i drejtohen jo sallës së mbledhjeve, por zonave ku janë zgjedhur. Deputetët duhet të jenë në zona për të dëgjuar problemet e qytetarëve. Sipas Rregullores, Kuvendi zhvillon punime në seancë plenare për diskutimin e çështjeve të evidentuara nga zgjedhësit pasditen e ditës së hënë, që pason javën me veprimtari njohëse me zgjedhësit.
Që tani, deputetët do të mblidhen pasditen e së hënës së ardhshme në seancë plenare, pikërisht për të diskutuar mbi problematikat me të cilat janë përballur gjatë takimeve me elektoratin përgjatë javës.
Seanca e së hënës, pritet të zgjasë jo më shumë se katër orë. Koha e diskutimeve do ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetin e pavarur ose deputetin jashtë grupeve parlamentare.
Gjatë kësaj jave, ligjvënësit, por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar janë angazhuar në takime të shumta kryesisht në qarqet Durrës dhe Tiranë, për të ndjekur nga afër pasojat e tërmetit të së shtunës pasdite, nga i cili pati edhe dëme në disa ndërtesa, por fatmirësisht pa prekur jetën e qytetarëve. Nisur nga kjo situatë, pritet që diskutimet në seancën e së hënës së ardhshme të dominohen nga diskutimet mbi përballimin e pasojave të tërmetit të fundjavës së kaluar.
Veritas.com.al/