Koment/

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka dorëzuar sot në SPAK një padi për ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca, të cilin e akuzon se ka tentuar që të ushtrojë ndikim te Gjykata Kushtetuese, për vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar. I paditur është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.Përfaqësuesja ligjore e Aleancës, Adriana Kalaja, tha se është e papranueshme që takime të një niveli të tillë, siç ishte ai mes Sorecës dhe kryetares së Gjykatës Vitore Tushe të kalohen në heshtje dhe në fshehtësi. Por ky kallëzim duket qartë se është një blof për arsye se ambasadori i Bashkimit Europian ka imunitet diplomatik dhe nuk mund të jetë subjekt nga institucionet e vendit tonë.

“I kemi kërkuar SPAK që të sekuestrojë telefonat e Sorecës dhe Veliajt, SPAK dhe GJKKO duhet të dalin me qëndrim të prerë, ne jemi të bindur se SPAK përmes hetimeve do na japin të drejtë”, u shpreh Kalaja për mediat.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka paditur z. Soreca dhe Erion Veliajn për  kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë”, parashikuar nga neni 244/a i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”  parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë”, parashikuar nga neni 259/a i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal,  kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.
“E gjejmë me vend t`Ju theksojmë faktin se, megjithëse Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 02.07.2021 na ka dhënë të drejtë, se ne si qytetarë të këtij vendi të Republikës së Shqipërisë që aq shumë dëshirojmë të aderojmë në Bashkimin Evropian, e shohim me shumë shqetësim sjelljen e përfaqësuesit të BE-së në Tiranë si lobues në favor të Kryetarit të Bashkisë Tiranë (dhe jo vetëm) në shkelje të plotë të parashikimeve të Konventës së Vjenës dhe konkretisht nenet 41 dhe 42, duke ulur dukshëm jo vetëm reputacionin personal por edhe atë të Delegacionit të Bashkimit Evropian.

Shqetësimit tonë publik në lidhje me këtë takim “zyrtar” jashtë formatit standard të transparencës, jo vetëm që i duhej kthyer një përgjigje në lartësinë e shqetësimit publik në lidhje me efektet që ka prodhuar ky takim, por edhe një transparencë e plotë bazuar në dispozita ligjore në lidhje me protokollin e këtij takimi”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

(…) Kërkojmë nga struktura e SPAK, konfiskimin e të gjithë kamerave brënda dhe jashtë godinës së Gjykatës Kushtetuese si dhe të gjithë aparaturave të komunikimit si celular, kompjuter, laptop dhe çdo provë tjetër të personave të dyshuar, të ambasadorit Soreca dhe Erion Veliaj, prova të cilat do të shërbejnë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë në cënim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Por sipas ligjit ndërkombëtar ambasasori Soreca është i paprekshëm dhe me këtë atij nuk mund t’i merret celulari për tu ekzaminuar. E gjitha zyra e delegacionit të BE në Tiranë ka imunitet diplomatik ashtu si ambasadat e tjera në vendin tonë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit njofton se për  arsyet që ka radhitur i ka nisur kërkesë si Presidentit të Republikës ashtu edhe Ministes së Jashme dhe të Europës Olta Xhaçka, shpalljen e ambasadorit Soreca “Non Grata”./ Shqiptarja.com

VERITAS.COM.AL