Frrok Çupi

Po skicoj piketat për një shkrim…

Megjithatë, si në punën e rrobaqepësit, nuk del shkrim i plotë; prapë një skicë mbeti. Skica nis e mbaron me pyetje:

Duan ta heqin Lulin pse PD humbi zgjedhjet?

Kjo duket si të shikosh sot nga mali i Dajtit dhe ta akuzosh pse nuk e mbajti borën që ra në mars e prill. Po nuk e mban, more, nuk e mban toka borën në stinën tjetër!. Këta që thonë ‘pse nuk fiton PD, ajo PD e famshme e viteve ‘90’, këta o janë njerëz të mirë e naivë, o janë hileqarë. PD ka ikur, ajo PD e viteve ’90; ka ikur e është shkrirë si bora. Vetë demokratët, sidomos këta që sot janë ca në selinë e PD e ca te gardhi i selisë, e kanë rrahur sa e kanë ngordhur si mace PD-në; e si mund të kërkohet po ajo. Partia Demokratike e ka mbyllur ciklin.

A humbi PD në këto zgjedhje?

Ca, mes tyre edhe Basha, thonë se PD është rritur. Jo, nuk është rritur; bëjini llogaritë… PD është në të njëjtat raporte si në vitin 2017, me fituesin PS. Kështu ka qenë e kështu do të jetë, prandaj them se e ka mbyllur ciklin. Atëherë çfarë dobie ka largimi i Bashës? Njësoj është, si të jetë, si të mos jetë.

Po heqja e kryetarit humbës, a ka vlerë?

Kjo ka vlerë në të gjitha partitë politike perëndimore; por jo për PD-në. Në këtë shekull, askund në kombet e Perëndimit nuk mund të ndodhë që kryetari humbës të mos largohet. Ndërsa PD ka krijuar regjistër tjetër: Humb e qëndro në krye! Përderisa Luli ka humbur çdo zgjedhje deri më sot, (sa bëhen 4 apo 6 zgjedhje?) pse duhet të largohet për këtë humbje? Kjo do të ishte thyerje e moralit në PD.

Cili kryetar tjetër do ta çonte PD-në në fitore?

Vetë PD nuk është për të fituar zgjedhjet. Fati ‘i keq’ i saj u caktua prej vetë PD-së në vitet 1992 kur u hyri ‘me dru’ votuesve të saj; ata ikën si bleta e nuk kthehen kurrë më. I hoqi nga puna, u shkatërroi ndërmarrjet, atyre që kishin shtëpi të mira u mori shtëpitë, u hoqi edhe telefonat dhe i mbylli nëpër shtëpi. PD, e vetme, nuk i fitoi kurrë zgjedhjet; ndërsa shikoni PS-në: Është e dyta herë që i fiton zgjedhjet  e vetme. Edhe 100 herë të tjera Edi Rama fiton.

A mund të ketë një kryetar të ‘ri’ pa bekimin e Berishës?

E pa mundur! Basha është ‘biri në shpirt’ i Berishës, ndërsa vetë Berisha është pronari i Partisë Demokratike. PD nuk është më një organizëm politik, aq më pak demokratik, prandaj nuk mund të bëhet zgjedhja e kryetarit të ri, veçse emërimi. Tashmë PD është më shumë një organizëm para- politik dhe kanunor. Në PD nuk ka zgjedhje. Po atëherë, a shpresojnë këta ‘të rinjtë’ që zoti Berisha t’i vërë gishtin njërit prej tyre? Mundet. Por që të bëhet kjo, dikush prej tyre duhet të ketë çelësa më të fortë për ‘kullën’ e bëmave 30 vjeçare të Berishës, më të fortë se garancia ‘Basha’. Çfarë do të zgjidhte kjo për vlerat e PD: Një Lul ‘roje’ kishim dhe një ‘Lul’ tjetër me çelësat e ‘kullës së barit’ do të kemi…

Ka edhe një shënim tjetër në fund të skicës:

Të gjithë këta që kërkojnë largimin e Bashës, më duken si maoistë; kryetari Mao për ta është ‘zoti i pa prekshëm’. Kështu e adhurojnë këta Berishën. Por kanë një lidhje dhe inferioritet ndaj Ilir Metës, një lidhje të ‘florinjtë’. Kjo më tmerron e më duket sikur jam në Nepal.

VERITAS.COM.AL