Të dhënat personale nuk janë më personale!
Pas shpërndarjes së listës prej mëse 630 mijë emrave të qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe shtetëror ku nuk përjashtohen edhe pagat e inspektorëve të shërbimit informativ, të ushtrisë, policisë dhe agjentëve të saj, prokuroria deklaron se ka nisur verifikimet për dyshimet e përhapjes së sekretit vetjak në bashkëpunim.
Kjo listë u shpërnda përmes WhatsApp dhe aktualisht është bërë virale, ndërkohë që ende nuk ka persona të dyshuar, se kush mund të jetë burimi i tyre dhe prej nga janë shpërndarë ato.
Prokuroria deklaron për Top Channel se është ende në faze verifikimi dhe nuk mundet të përcaktojë nëse rrjedhja e këtyre të dhënave ka ndodhur nga e-albania. Më herët, një databazë i përpunuar më të dhënat personale të shtetasve shqiptare u aksesua gjatë zgjedhjeve. Për këtë dosje të pagëzuar si “Patronazhistët”, SPAK nuk konkludoi nëse ky proces kishte lidhje apo jo me korrupsionin në zgjedhje, por e delegoi hetimin pranë prokurorisë së kryeqytetit, e cila ende vijon ta ketë nën proces hetimor.