
Presidenti rus Vladimir Putin u takua me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, në Moskë të hënën, ndërsa forcat izraelite vazhduan të godasin Teheranin. Udhëheqësi rus dënoi sulmet e SHBA-së ndaj Iranit dhe siguroi delegacionin iranian se populli i Iranit mund të mbështetet te Rusia për përkrahje.
Një video e shkurtër e publikuar nga Kremlini tregon Putinin duke u takuar me delegacionin iranian, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe Yury Ushakov, një këshilltar i nivelit të lartë dhe ish-ambasador rus në Uashington.
“Ky është një akt agresioni ndaj Iranit pa asnjë bazë apo justifikim. Ne kemi marrëdhënie të vjetra, miqësore dhe të besueshme me Iranin, dhe nga ana jonë po bëjmë përpjekje për të mbështetur popullin iranian”, tha Putin, duke theksuar bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara u provokuan nga Izraeli për të ndërmarrë sulmin.
Putin i tha Araghchit se kishte zhvilluar biseda telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed Al Nahyan dhe Presidentin iranian Masoud Pezeshkian. Ai nuk specifikoi kohën e këtyre bisedave, dhe Kremlini tha të dielën se nuk kishte ndonjë plan që Putini të fliste me Trump pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit.
Araghchi e falënderoi Putinin për përkrahjen dhe tha se Rusia është “në anën e duhur të historisë”. Ai gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes Teheranit dhe Moskës, të cilat, sipas tij, “janë forcuar edhe më shumë vitet e fundit”.
Aleanca Iran-Rusi
Irani ka qenë ndër mbështetësit më të fortë të Rusisë që kur Putini nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në vitin 2022. Regjimi iranian i ka furnizuar Rusisë armë, përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër dhe mijëra dronë Shahed dhe, sipas zyrtarëve amerikanë, ka ndërtuar një fabrikë dronësh në Rusi.
Moska, nga ana tjetër, ka qëndruar në krah të Iranit gjatë konfliktit me Izraelin dhe pas sulmeve të SHBA-së. “Sa i përket programit bërthamor, Rusia ka qenë një partnere dhe na ka ndihmuar. Gjithashtu, Rusia ka qenë e pranishme gjatë bisedimeve për programin bërthamor dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm”, tha Araghchi.
Rusia ndërtoi dhe është ende e përfshirë në funksionimin e centralit bërthamor në Bushehr, në jug të Iranit, i vetmi central bërthamor në vend. Putin tha javën e kaluar se rreth 200 ekspertë rusë ndodhen në atë objekt dhe falënderoi Izraelin që ra dakord të garantojë sigurinë e tyre.
Komente