“Mendoj se ka njëfarë drite në fund të tunelit. Do të shohim si do të zhvillohet situata”, tha dje Vladimir Putin. Por më pas shtoi: “Përndryshe, do të na duhet të përmbushim detyrat që na takojnë me forcën e armëve”.
Presidenti rus foli me gazetarët gjatë vizitës së tij në Kinë, ku ndoqi paradën ushtarake të Xi Jinping dhe pati një bisedë të gjatë me diktatorin koreano-verior Kim Jong-un, i cili po e ndihmon Rusinë duke dërguar ushtarë në Ukrainë.
Putin theksoi se, “nëse është i gatshëm”, presidenti ukrainas Zelensky “mund të vijë në Moskë” për ta takuar (një propozim që Kievi e ka cilësuar tashmë si “të papranueshëm”) dhe shtoi se nuk e ka “përjashtuar kurrë mundësinë” e një takimi ballë për ballë. Por ai përsëriti gjithashtu se çdo takim i tillë duhet të përgatitet mirë dhe në kohë, dhe të çojë në rezultate konkrete, ndryshe ka vend për të dyshuar “nëse këto takime kanë ndonjë kuptim”.
Presidenti rus deklaroi se preferon një “zgjidhje të dakordësuar” për Ukrainën: “Besoj se, nëse mbizotëron arsyeja, do të jetë e mundur të gjendet një zgjidhje e pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti”. Ai shtoi se sheh sinjale pozitive nga administrata Trump: “Nuk shohim vetëm deklaratat e tyre, por edhe një dëshirë të sinqertë për të gjetur një zgjidhje”.
Por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë për gazetën indoneziane Kompas, e sqaroi sërish se çfarë kupton Kremlini me “zgjidhje të dakordësuar”: “Që paqja të jetë e qëndrueshme, duhet të pranohen realitetet e reja territoriale”, pra rajonet ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar.
Putin nuk ka ndërmend të dëmtojë marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë: “Presidenti i SHBA-ve, e dinë të gjithë, nuk është pa sens humori”, tha ai, duke minimizuar një mesazh të Trump-it në rrjetin Truth, ku ish-presidenti përdori fjalën “konspironi” për të përshkruar takimin e Putinit me liderët e Kinës dhe Koresë së Veriut.
Trump kishte shkruar: “Uroj që presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm i Kinës të kenë një ditë të gjatë festimesh. Ju lutem, përcillni përshëndetjet e mia më të përzemërta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong-un, ndërsa konspironi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha dje se ceremonia “e bukur” në Kinë duhej ta kujtonte rolin e SHBA-ve në mposhtjen e Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ai përsëriti se lufta në Ukrainë “duhet të zgjidhet në një mënyrë apo në një tjetër” dhe shtoi se ka në plan të flasë me liderin e Kremlinit dhe të zhvillojë bisedime për Ukrainën “në ditët në vijim”. “Nëse nuk jemi të kënaqur, do të shihni që do të ndodhin disa gjëra”. Por aktualisht, ai thotë se nuk është “i kënaqur me askënd”.
Trump priti në vizitë në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Polonisë, Karol Nawrocki, 42-vjeçarin historik dhe boksier amator, i zgjedhur në qershor me mbështetjen e partisë së djathtë Ligj dhe Drejtësi, e cila është e lidhur me lëvizjen MAGA amerikane (Trump i kishte dhënë mbështetjen e tij).
Nawrocki mori dje sigurinë nga Trump se nuk do të ketë asnjë reduktim të trupave amerikane të vendosura në Poloni (ndërmjet 8 mijë e 200 dhe 10 mijë ushtarë), të cilët për vendin janë një faktor thelbësor parandalues ndaj Rusisë. “Nuk kemi menduar kurrë të ulim numrin e trupave në Poloni. Po e shqyrtojmë për disa vende të tjera, por jemi plotësisht të përkushtuar ndaj Polonisë dhe do ta ndihmojmë të mbrohet”. Madje, shtoi ai, “do të dërgojmë më shumë nëse ata i kërkojnë”./ CORRIERA DELLA SERA
Komente